RTSH 24 Live

Serbi

Gjykata në Beograd urdhëron zhvarrosjen e mbetjeve mortore pranë Rashkës

19/11/2020

Gjykata në Beograd urdhëron zhvarrosjen e mbetjeve mortore pranë Rashkës

Departamenti i Krimeve të Luftës i Gjykatës së Lartë në Beograd, më 18 nëntor, ka lëshuar një urdhër për zhvarrosjen e një numri të paidentifikuar kufomash në një varrezë masive në Krizhevak të Komunës së Rashkës.

Kjo u konfirmua për Radion Evropa e Lirë nga Gjykata e Lartë.

Sipas përgjigjes, fillimi i zhvarrimit do të përcaktohet më vonë, ashtu si edhe komisioni që do të kryejë zhvarrosjen.

"Gjithashtu, është caktuar një ekspert gjyqësor, i cili do të mbledhë dhe sigurojë gjurmë materiale që janë gjetur në vend gjatë hetimit paraprak, në përputhje me raportin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MUP) të Serbisë", thotë Gjykata.

Sipas Gjykatës, Ministria e Brendshme është udhëzuar të bëjë sigurimin në mënyrë adekuate të lokacionit, ndërsa veprimet tjera të rëndësishme do të përcaktohen me një urdhër shtesë që do të lëshohet më vonë, duke pasur parasysh kushtet aktuale të motit, periudhën e vitit dhe mungesën e të dhënave të hollësishme.

Prokuroria e Krimeve të Luftës në Beograd i tha Radios Evropa e Lirë më 17 nëntor se ishte në dijeni të informacionit se, në një lokacion afër Rashkës janë gjetur mbetje mortore, për të cilat dyshohet se janë të viktimave shqiptare nga Kosova dhe se "procedura po kalon në procedurë të Departamentit për Krime të Luftës në Gjykatën e Lartë të Beogradit".

Më 16 nëntor, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, Arsim Gërxhaliu, pati konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se në varrezën masive në Krizhevak dyshohet se gjenden mbetjet mortore të shqiptarëve të Kosovës.