RTSH 24 Live

Aktualitet

Gjykata Kushtetuese zgjedh sot kryetaren e institucionit! Papajorgji, Semini dhe Zaçaj, 3 gjyqtaret në garë

15/02/2023

Gjykata Kushtetuese zgjedh sot kryetaren e institucionit! Papajorgji, Semini dhe Zaçaj, 3 gjyqtaret në garë

Gjykata Kushtetuese zgjedh këtë të mërkurë (15 shkurt) kryetaren e këtij institucioni, pozicion për të cilin kanë shprehur interes 3 gjyqtare: Fiona Papajorgji, Marjana Semini dhe Holta Zaçaj. Një nga tre gjyqtaret do të zgjidhet sot në krye të Kushtetueses, duke zëvendësuar në këtë detyrë, Vitore Tushën. Afati i aplikimeve për pozicionin e kreut të Gjykatës Kushtetuese u mbyll më 2 shkurt.

Sipas procedurës, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese zgjidhet me votim të fshehtë, me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtuese, për një periudhë 3-vjeçare me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.

Seanca për zgjedhjen e Kryetarit drejtohet nga gjyqtari më i vjetër në detyrë. Në rast se ka më shumë se një kandidat dhe gjatë votimit asnjëri prej tyre nuk merr shumicën e parashikuar të votave, bëhet një votim i ri dhe, pas këtij, vijohet me votimin mes kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave.

Në rast se asnjë nga kandidatet nuk do të marrë shumicën e votave ose votat janë ndarë në mënyrë të barabartë, Kryetarja do të caktohet me short. Procedura e zhvillimit të shortit parashikohet me vendim të Mbledhjes së Gjyqtarëve. Kryetari i zgjedhur njofton Presidentin e Republikës dhe Kryetarin e Kuvendit.

/rtsh.al/