RTSH 24 Live

Aktualitet

Gjykata e Lartë e la në burg, Meta: Ecim më shpejt drejt Strasburgut

6 orë para

Gjykata e Lartë e la në burg, Meta: Ecim më shpejt drejt Strasburgut

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi masën e “arrestit me burg” për Ilir Metën. Kreu i Partisë së Lirisë bëri rekurs në Gjykatën e Lartë për vendimin e Apelit të GJKKO-së që e la atë në qeli, me argumentin se nuk kishte prova për mbajtjen e tij në burg. Por me vendimin e sotëm (27 shkurt), Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e Apelit të GJKKO-së.

Meta ka reaguar nga burgu përmes një mesazhi audio të publikuar në llogarinë e tij në Facebook, ku thotë se çështjen do ta dërgojë në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

11 maji, dita historike, kur do ndahemi nga narkoregjimi dhe narkodrejtësia e tij. Sot për çështjen Meta hodhëm një hap pozitiv, sepse kaluam edhe një pengesë fiktive, Gjykatën e Lartë që nuk ekziston, në mënyrë që të ecim më shpejt drejt Gjykatës së Strasburgut", tha Meta.

Presidenti i Partisë së Lirisë u arrestua më 21 tetor me urdhër të SPAK-ut dhe prej afro 4 muajsh mbahet i izoluar në paraburgimin “Jordan Misja” në kryeqytet apo siç njihet ndryshe 313-ta.

Ndaj Metës, SPAK ka ngritur dyshime për pasurinë e tij dhe për korrupsion e pastrim parash lidhur me dosjet e bashkuara CEZ-DIA. SPAK-u i nisi hetimet pas kallëzimit të ish-deputetit Halit Valteri, i cili pretendonte se për llogari të LSI-së - para ndryshimit të emrit në Partia e Lirisë - u shpenzuan 700 mijë dollarë të padeklaruara për qëllime lobimi.

/rtsh.al/