RTSH 24 Live

Kosova

Gjykata e Lartë Amerikane, Biden krijon komision për të mundësuar shtimin e numrit të gjykatësve 

10/04/2021

Gjykata e Lartë Amerikane, Biden krijon komision për të mundësuar shtimin e numrit të gjykatësve 

Presidenti Joe Biden formoi të premten një komision dypalësh për të studiuar mundësitë për ndryshime të mundshme në Gjykatën e Lartë amerikane, përfshirë shtimin e numrit të gjykatësve përtej nëntë që ka aktualisht. Kjo lëvizje duket se kënaq qëllimet e disa demokratëve liberalë që shpresojnë t'i japin fund shumicës konservatore në gjykatë. komisioni prej 36 anëtarësh do të vlerësojë ligjshmërinë e reformave të mundshme në organin më të lartë gjyqësor të vendit, duke përfshirë shtimin e numrit të gjykatësve ose kufizimin e mandatit të tyre, që aktualisht është i përjetshëm. Numri i anëtarëve të Gjykatës së Lartë ka mbetur nëntë që nga 1869, por Kongresi ka fuqinë të ndryshojë numrin dhe e ka bërë këtë disa herë përpara kësaj. Vendosja e kufizimeve në mandatin e një gjykatësi ka të ngjarë të kërkojë një ndryshim kushtetues, megjithëse disa studiues kanë propozuar mënyra për ta përmbushur atë pa shkuar deri aty. Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se komisioni do të përfaqësojë të gjithë spektrin politik. Ai do të përfshijë studiues të fushës juridike, liberalë e konservatorë, ish-gjykatës federalë dhe avokatë që kanë mbrojtur çështje përpara gjykatës. Po kështu parashikohet zhvillimi i takimeve publike. Komisioni do të ketë 180 ditë afat për të raportuar gjetjet e tij. Por, republikanët e kundërshtojnë ashpër idenë e të ashtuquajturës "mbushje e gjykatës". Disa demokratë dhe aktivistë liberalë kanë thënë se të gjitha opsionet, përfshirë zgjerimin, duhen marrë në konsideratë për të kundërshtuar siç thonë ata një shumicë konservatore të pamundur për t'u ndryshuar, e që mund të kërcënojë gjatë viteve të ardhshme të drejtën e abortit, të drejtat civile, kontrollin e armëve dhe qasjen tek shërbimet e kujdesin shëndetësor. Ish-Presidenti republikan Donald Trump arriti të emërojë tre gjykatës gjatë katër viteve të tij në detyrë, duke i dhënë këtij institucioni një shumicë konservatore 6 me 3.