RTSH 24 Live

Sociale

Gjuha shqipe në Universitetin e Harvardit, Limani: Në 3 nivele, fillon nga simestri vjeshtor

16/05/2022

Gjuha shqipe në Universitetin e Harvardit, Limani: Në 3 nivele, fillon nga simestri vjeshtor
Faton Limani administrator departamenti në Universitetin e Harvardit

Faton Limani, administrator departamenti në Universitetin e Harvardit në një lidhje Skype në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” ka deklaruar se futja e gjuhës shqipe si lëndë me zgjedhje në Universitetin e Harvardit do nisë që në semestrin e vjeshtës.

Limani tha se mësimi i gjuhës shqipe do bëhet gjatë gjithë vitit në 3 nivele, që janë niveli fillestar, bazë dhe i thelluar.

Limani tha se ai së bashku me kolegen e tij, Eva Stathi Mish, e kanë patur si ide propozimin për futjen e gjuhës shqipe si lëndë me zgjedhjeve, nisur dhe nga kërkesa e shqiptaro-amerikanëve.

Administratori i departamentit të letërsisë krahasuese në Universitetin e Harvardit,  tha se lënda e gjuhës shqipe do të jetë e hapur për të gjithë studentët dhe jo vetëm për shqiptarët, ndërsa shpreson se do të ketë interesim nga studentët e Harvardit.

 “Unë dhe një kolegia ime që punon në një department tjetër, e kemi patur si ide më herët që të fusim gjuhën shqipe si lëndë si gjuhët e tjera se e dinim që studentët të nivelit bachelor e kanë të detyrueshem që të marrin një gjuhë të huaj dhe ne po bisedonim se si ta fusnim gjuhën shqipe. Ajo që e përshpejtoi këtë punë ishte kërkesa e disa studentëve. Ne na arriti lajmi dhe e bëri më të lehtë që të fillonim bisedimet me disa departamente dhe arritëm ta fusnim gjuhën shqipe në këtë department.

Mësimi i gjuhës shqipe do bëhet gjatë gjithë vitit në 3 nivele, fillestar, i ndërpmjetëm dhe i avancuar. Kërkesa primare erdhi nga studentët shqiptaro-amerikan. Lajmi po shpërndahet në departamentet e tjera brenda universitetit. Kjo lëndë do jetë e hapur për gjithë studentët dhe jo vetëm shqiptarët. Shpresojmë të ketë interesim, do e shohim kur të fillojë simestri vjeshtor. Në departamentin tim, lënda do jetë në mbikëqyrjen e një nga profesorëve. Dhe nga numri i studentëve që regjistrohen në këto kurse, departamenti rekruton ligjërues që plotëson nevojën. Gjithçka varet nga numri i studentëve që regjistrohen”, tha Limani.

Ndërkohë Minisrja e Arsimit Evis Kushi teksa dha lajmin në datë 12 maj, tha se futja e gjuhës shqipe si lëndë me zgjedhje në departamentin e Harvardit, përveçse do të konsolidojë akoma më shumë vendin që gjuha shqipe ka midis gjuhëve të tjera të botës, do të jetë edhe një mundësi e shkëlqyer për të huajt të cilët janë të apasionuar për të mësuar më shumë rreth gjuhës dhe kulturës sonë.

/rtsh.al/