RTSH 24 Live

Teknologji

Gjirokatër, Këndi Arkivor, në funksion të banorëve të qarkut për studim të dokumenteve

23/01/2021

Gjirokatër, Këndi Arkivor, në funksion të banorëve të qarkut për studim të dokumenteve

Këndi arkivor i ngritur pranë bibliotekës "Apostol Meksi" në Gjirokastër, gjatë dy muajve të funksionimit të tij, u ka ardhur në ndihmë banorëve të qarkut për të marrë informacionin e dëshiruar. Kryesisht janë kërkuar informacione historikë dhe për pronat thotë përgjegjësja e këtij institucioni Arminda Mevlani. Ajo sqaron publikun edhe mbi mënyrën si aplikohet për të hyrë në arkiv, ndërsa bën të qartë se nuk lëshohen dokumenta, por merret vetëm informacion për to. Për dokumentacionin duhet aplikuar pranë Postës Shqiptare.

“Këndi arkivor vlen vetëm për studimin e dokumentave të ndryshme, të cilat janë dokumenta historike, biografike, pronësie, për amaza shkollore, për vjertërsi pune etj. E theksoj, është vetëm për studim. Kushdo që është i interesuar për të tërhequr dokumenta duhet të aplikojë pranë Postës Shqiptare. Secili që është i interesuar për të studiuar te Këndi Arkivor pranë bibliotekës sonë duhet të regjistrohet te faqja e Arkivit të Shtetit “katalogu.arkiva.gov.al”. Aplikimi kryhet nga celulari  ose kompjuteri personal dhe brenda 24 orëve në email i vjen një kod i cili i nevojitet në momentin e hyrjes në Këndin Arkivor. Dokumentat për Gjirokastrën janë hapur në 1 dhjetor 2020. Ka frekuentim. Kryesisht për dokumenta historike, janë disa pedagogë që studiojnë. Interes është treguar edhe për dokumenta pronësie.” – sqaron përgjegjësja e bibliotekës Arminda Mevlani.

Edhe pse në kohë pandemie, biblioteka është çdo ditë në shërbim të lexuesve duke respektuar protokollin e sigurisë.