RTSH 24 Live

Kulturë

Gjirokastër,shpallen fituesit e konkursit kombëtar “Fatos Baxhaku’’

09/01/2021

Gjirokastër,shpallen fituesit e konkursit kombëtar “Fatos Baxhaku’’

 

Një vit pas shpalljes së konkursit  të parë kombëtar “Fatos Baxhaku” me temën ”Media lokale për çështjet vendore”, nga Qendra Kulturore Mediatike “Antigonea, sot u organizua ceremonia e shpalljes së fituesve, ku çmimi i parë shkoi për gazetaren dhe korrespodenten e NEWS-24 Brikena Metaj.

“ Për mua është çmimi i parë që marr si gazetare.Jam e lumtur që nderohem me një çmim që mban emrin e të madhit Fatos Baxhaku. Ka qenë një model shumë i mirë për mua në punën time si gazetare. Nuk pretendoj ta arrij, por të ndjek rrugën e tij”- u shpreh Brikena

Me një çmim të posaçëm, atë të Karrieres, Qendra Kulturore Mediatike Antigonea  nderoi edhe disa gazetarë me eksperiencë e kontribut në gazetarinë lokale si Ylli Musta, Habip Jashari, Vladimir Muçaj, Kaliopi Bici, Besim Dybeli, Hysen Likdisha e Yllka Ponde.

“Është një kënaqësi e veçantë që ndodhem mes kolegëve të  të rinj e të vjetër, por dhjetëfish i privilegjuar që nderohem me çmimin që mban emrin e gazetarit Fatos Baxhaku. Ka qenë shembull miqësie dhe frymëzimi në punën tonë si gazetarë.”- u shpreh Vladimir Muçaj.

Organizatori i këtij eventi Ëngjëll Serjani tha se synohet që ky konkurs të kthehet në traditë.

U përcaktua kjo date, pikërisht 9 janari për zhvillimin e këtij eventi, pasi është data e lindjes së një prej gazetarëve më të admiruar nga lexuesi e publiku shqiptar, e kolegut tonë të dashur e të nderuar Fatos Baxhaku, emri  i të cilit është në ballë të kësaj gare dhe të këtij konkursi. Modeli i gazetarisë  nuk është mes nesh fizikisht, por e kemi të gjallë në reportazhet dhe dokumentarët që na ka lënë si trashëgimi.