RTSH 24 Live

Sociale

Gjirokastër, shkatërrohet këndi i lojrave në kopshtin "Shpresa Demaj"

05/05/2021

Gjirokastër, shkatërrohet këndi i lojrave në kopshtin "Shpresa Demaj"

 

Kopshti numër 5 në lagjen Zinxhira në Gjirokastër, për të disatën herë bëhet pre e veprimeve të papërgjegjshme nga persona ende të paidentifikuar. Së fundi, është shkatërruar  këndi i lojrave në oborrin e këtij institucioni, ndërsa këto akte të turpshme për qytetarinë gjirokastrite kanë nisur herët. Ndërsa na jep detaje për ngjarjet e njëpasnjëshme, drejtoresha e arsimit në bashkinë Gjirokastër, Dorjana Demo thotë se policia po heton për zbulimin e autorëve.

“Dua të prononcohem për një ngjarje jo të këndshme, të ndodhur dje në kopshtin numër 5 në lagjen Zinxhira. Fillesat e saj kanë nisur ditë më parë, pikërisht në javën kur ishtë Dita e Tokës dhe në kopësht kishin filluar aktivitetet me mbjelljen e luleve dhe pemëve. Disa persona kishin hyrë dhe kishin prishur atë punë të bukur që kishin bërë vogëlushët dhe edukatoret. Ditën e djeshme përsëri ka pasur vandalizëm, ku ishte prishur këndi i lojrave. Sot përsëri ka ndodhur një akt i tillë. Në mëngjes u gjet i thyer flamuri të cilin e kanë grisur. Të vjen keq kur shikon që inati i njerëzve nxirret në parkun e lojrave për fëmijët. Bashkia është tepër e preokupuar që kudo në qytetin e Gjirokastrës të krijojë ambiente çlodhëse dhe argëtuese për fëmijët. Dua të shpreh apelin për banorët, adoleshentët që pakënaqësitë që kanë mos t’i shprehin në këtë mënyrë. Ne kemi bërë kallëzim penal. Janë marrë pamjet e kamerave që janë në ndërtesat pranë. Jemi shumë afër gjetjes së autorëve. Shpresoj që kjo ngjarje të zbardhet.” – thotë Demo

Në kopshtin "Shpresa Demaj" mësojnë dhe edukohen rreth 70 fëmijë, ku mes tyre edhe të komunitetit rom. Për këta të fundit Bashkia Gjirokastër subvencionon ushqimin duke i zeruar nga tarifa ushqimore.