RTSH 24 Live

Aktualitet

Gjirokastër, nxënësit e parauniversitarit mirëpresin rikthimin në shkollë

04/05/2021

Gjirokastër, nxënësit e parauniversitarit mirëpresin rikthimin në shkollë

Edhe fëmijët gjirokastritë i janë rikthyer sot shkollave, me rekomandim të Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe vendim të Ministrisë së Arsimit. Në prononcimet për RTSH Gjirokastra, ata janë shprehur se këtë periudhë do ta shfrytëzojnë për të plotësuar mangësitë nga mësimi online. I favorshëm është vlerësuar nga nxënësit e klasave të nënta të cilët gjatë këtyre javëve të mbetura do të përgatiten për provimet e Arsimit Kombëtar bazë.

“Ky rikthim është mjaft i favorshëm për ne sepse jemi dhe në klasë të nëntë dhe kemi provimet në fund. Deri tani, online i kemi marrë mësimet, por kemi pasur vështirësi. Tani do kemi mundësi të zhvillojmë edhe konsultime, parateste, që në fund të paraqitemi mirë në provime.”

“Kur mora vesh që do ktheheshim përsëri në shkollë gëzova, pasi mësimi online na ka lënë mangësi. Këtë një muaj do ta shfrytëzojmë në maksimum për t’u përgatitur për testet e arsimit kombëtar bazë.”

Ka dhe nga ata për të cilët asgjë nuk ka ndryshuar, pasi procesin mësimor e kanë zhvilluar gjatë gjithë kohës në klasa, pa u dashur të hynin online.

“ Ndryshe nga klasat e tjera ne e kemi zhvilluar mësimin përherë në shkollë. Kjo ka qënë një mundësi e mirë për ne sepse mësimi online ka vështirësitë e veta.”

“Ne kemi pasur fatin ta bëjmë mësimin duke u paraqitur fizikisht në shkollë dhe s'përbën ndryshim. Çdo gjë ka qënë si vitet e tjera, përveç masave që kemi pasur, maskat, dezinfektimi. Kjo ka bërë që ne të mos kemi probleme si bashkëmoshatarët tanë që e kanë zhvilluar mësimin të alternuar”

Në Gjirokastër do të operohet në disa shkolla me turne, pasi klasat nuk kanë ambiente të bollshme për të ruajtur distancën. Kjo, kryesisht, në shkollat e qytetit si shkak i numrit të lartë të nxënësve.