RTSH 24 Live

Sociale

Gjirokastër, masa shtesë për qendrat shëndetësore në zonat malore

22/01/2021

Gjirokastër, masa shtesë për qendrat shëndetësore në zonat malore
Pandemia nuk ka lënë jashtë vëmendjes edhe masat për menaxhimin e rasteve urgjente në zonat e thella malore të Gjirokastrës. Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor është kujdesur që të gjitha qendrat shëndetësore të pajisen  me mjetet dhe medikamentet e nevojshme, për t’iu përgjigjur në kohë urgjencave mjekësore, në rast te bllokimit te rrugëve nga rreshjet, apo pasojave të tjera që mund të sjellë moti i keq.
 
“Nga ana jonë si drejtori në bashkëpunim dhe me strukturat e kujdesit shëndetësor parësor janë marrë masat për mirëfurnizimin e qendrave shëndetësore me mjete e pajisje, sidomos me listën e medikamenteve të urgjencës. Po kështu i është kërkuar personelit të jetë në gatishmëri dhe t’u  përgjigjet nevojave shëndetësore të komunitetit dhe popullatës. Kjo veçanërisht për zonat e thella malore, ku si pasojë e kushteve atmosferike mund të ketë bllokime rrugësh. Krahas furnizimit me mjete dhe medikamente gjithë qendrat shëndetësore kanë marrë orientime që t’i përgjigjen thirrjes për ndihmë. Veçanërisht, thirrjes për ndihmë urgjente nga persona si , gratë shtatzëna, të sëmurët kronikë, apo fëmijët që në këto kohë mund të jenë kontigjente risku. Të gjitha rastet mund të referohen te Qendra Kombëtare e Urgjencës apo Urgjenca e Spitalit “Omer Nishani”për ndihmë më të specializuar me qëllim që këto situata të menaxhohen në kohë reale e pa pasoja për popullatën e komunitetin  në tërësi” thotë Bledar Ahmetaj, shef i Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor parësor në NJVKSH.
 
Nga 13 qendra shëndetësore që funksionojnë në Gjirokastër, gjatë stinës së dimrit, shihen me prioritet ato që u shërbejnë banorëve  të zonave të largëta malore si Pogon, Zagorie, Dropull i Sipërm, Picar, e Cepo. Këto qendra janë përfituese të rregullta të medikamenteve shtesë nga Ministria e Shëndetësisë