RTSH 24 Live

Kulturë

Gjirokastër, Liceu Artistik nuk i ndal aktivitetet edhe në kohë pandemie

06/05/2021

Gjirokastër, Liceu Artistik nuk i ndal aktivitetet edhe në kohë pandemie

 

Edhe në këto kohë pandemie, nxënësit dhe mësuesit e Liceut artistik “Feim Ibrahimi” në Gjirokastër kanë qënë të angazhuar  në zhvillimin e aktiviteteve që synojnë promovimin e vlerave të kësaj shkolle, por edhe gjallërimin e jetës kulturore në jug të vendit. Së fundi organizimet janë kryer në Përmet dhe Ksamil, në bashkëpunim dhe me nxënës të talentuar në muzikë e pikturë  të shkollave 9 vjeçare të këtyre dy qyteteve.

“Jemi të fokusuar edhe në organizimin e aktiviteteve të ndryshme. Kjo, jo vetëm në kuadër të promovimit të vlerave të kësaj shkolle dhe ftesës që i bëjmë të rinjve të rajonit për të frekuentuar këtë shkollë, por edhe gjallërimin e jetës kulturore në jug të vendit. Kemi organizuar koncerte, ekspozita. Një i tillë ishte ai në qytetin e Përmetit.Në bashkëpunim me shkollat 9 vjeçare, me mbështetjen e kryetares së bashkisë, organizuam një koncert shumë të bukur me pjesë klasike dhe moderne. Sigurisht që prezantuam edhe një ekspozitë me punimet më të mira të nxënësve të shkollës sonë dhe nxënësve të shkollave 9 vjeçare. Gjatë koncertit shpërndamë fletë palosje, por zbuluam edhe disa elementë me prirje në muzikë dhe arte figurative që treguan interes për t’iu bashkuar shkollës sonë. Gjithashtu në ambientet e jashtme të Shkollës së Bashkuar Ksamil organizuam një aktivitet, ku një prej nxënësve të talentuar të kësaj shkolle çeli një ekspozitë me gjithë punimet e realizuara gjatë këtij viti mësimor. Kështu, ne po mbajmë atë fjalë të dhënë që kjo shkollë, jo vetëm do jetë fidanishtja e artistëve të rinj të Shqipërisë, por sigurisht që përmes tyre gjallërojmë jetën artistike të qyteteve të jugut të Shqipërisë.”- thotë Bujar Dudumi, drejtor i shkollës.

Liceu artistik “Feim Ibrahimi” i përket kurrikulës së sistemit arsimor 3- vjeçar, me dy degët kryesore Muzikë dhe Artet Figurative. Pjesën më të madhe, në programet e saj, e zënë lëndët e kurrikulës artistike me lëndët e profesionit.