RTSH 24 Live

Sociale

Gjirokastër, inaugurohet "Qyteti i trafikut" mbi sigurinë rrugore për fëmijët

18/03/2023

Gjirokastër, inaugurohet "Qyteti i trafikut" mbi sigurinë rrugore për fëmijët

"Qyteti i trafikut", një kënd edukativ mbi sigurinë rrugore për fëmijët , është hapur edhe në Gjirokastër.

Ai është pjesë nga programet më të reja që ARRSH dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka ngritur së bashku me ambasadën polake për sa i përket sigurisë rrugore.

”Për të rritur qytetarë të mirë në drejtim të automjeteve duhet të investojmë te fëmijët. Përmes argëtimit këtu fëmijët edhe mësojnë”, deklaroi ministrja Belinda Balluku.

Ndërsa ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u shpreh se Gjirokastra edhe për shkak të relievit, i ka me pakicë hapësirat për zbavitjen e fëmijëve. “Tanimë këtu fëmijët edhe do të edukohen dhe do të zbaviten”, shtoi ajo.

Drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi shpjegoi se kjo qendër “Do të ketë ditë të hapura, ku instruktorë të ARRSH-së të vijnë të mësojnë fëmijët, ndërsa do të jetë i hapur për nxënësit e shkollave për të zhvilluar lëndët që lidhen me sigurinë rrugore dhe do të instruktohen nga instruktorë të ARRSH dhe Policisë së Shtetit”.

Këndi do t’u shërbejë jo vetëm fëmijëve të Gjirokastrës, por edhe të bashkive Përmet, Tepelenë dhe Delvinë.