RTSH 24 Live

Ekonomi

Gjirokastër, inagurohet Konvikti i Djemve, rikonstruktuar nga Agjencia Turke Tika

09/04/2021

Gjirokastër, inagurohet Konvikti i Djemve, rikonstruktuar nga Agjencia Turke Tika

Në Gjirokastër u mbajt ceremonia e hapjes se Konviktit të Djemve, i rikonstruktuar dhe mobiluar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), ku morën pjesë ministri i Kulturës dhe Turizmit i Turqisë, Mehmet Nuri Ersoy, ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, Ambasadori i Turqisë në Tiranë, zëvendëskryetari i TIKA-s, Mahmut Çevik, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në rajon dhe të ftuar të tjerë.

Kryebashkiaku Golemi, i cili çeli dhe ceremoninë e inagurimit, shprehu mirënjohjen për Turqinë dhe TIKA-n për mbështetjen e ofruar për qytetin, duke shtuar se shtëpitë historike në qytet janë monumente të kulturës që kanë nevojë për ndërhyrje dhe mbështetje:

“Falënderoj Qeverinë Turke dhe Agjencinë Tika për gjithë suportin që po i bën qytetit tonë që nuk është thjesht një qytet i gjirokastritëve dhe shqiptarëve, por një pasuri mbarëbotërore. Është një qytet me më shumë se 60 shtëpi monument kulture kategori e parë dhe 500 shtëpi kategori e dytë, të cilat kanë nevojë për ndërhyrje. Ky qytet që deri në 2013 ishte në rrezik për t’u larguar nga UNESCO, pas investimeve të përfunduara në pazarin e qytetit dhe pas gjithë ndërhyrjeve që po bëhen me Sheshin e Çerçizit, me bypass-in dhe gjithë ndërhyrjet në rrjetin muzeal, po bëhet një xhevahir jo thjeshtë i Shqipërisë, Ballkanit, por gjithë botës. Falënderoj Qeverinë Turke për ndërhyrjet në këtë godinë që prej viteve 70 nuk ishte vënë më dorë, duke e kthyer në një aset për qytetin, por në veçanti për studentët.”

Ministrja  e Kulturës Elva Margariti falënderoi Turqinë për mbështetjen e ofruar gjithnjë, duke e vlerësuar si partner strategjik:

“ Është shumë domethënëse që jemi në një hapësirë dedikuar të rinjve, për të cilën kemi gjetur totalisht mbështetjen e qeverisë turke dhe jemi këtu sot për të përfaqësuar qeverinë tonë me falënderimet e posaçme për mbështetjen që na jepni gjithmonë. Si përfaqësuese e qeverisë nuk mundem të mos shpreh gjithë falënderimet tona për ndihmën e madhe që i keni dhënë kombit tonë pas tërmetit të 26 nëntorit të  2019. E filluam këtë vit së bashku me nënshkrimin në Anakara të marrëveshjeve të rëndësishme dhe ja ku jemi këtu sot duke pasur, Ministrin e Kulturës dhe Turizmit  Ersoi, në Shqipëri për të ndërtuar të tjera ura bashkëpunimi. Hapja e një kantieri të ri në Shkodër me restaurimin e Xhamisë së Plumbit me një bashkëpunim të ri tashmë dhe me vakëfet është një tjetër hap i rëndësishëm në këtë marrëdhënie bashkëpunimi midis dy vendeve. Për ne është shumë e rëndësishme që sot në 2021të kemi si partner strategjik Qeverinë Turke e cila na mbështet në sfidat tona të mëdha.”

Projektin e rinovimit të Konviktit të Djemve në Gjirokastër Ersoy e cilësoi si pjesë e rëndësisë që i japin arsimimit të të rinjve, ndërsa u shpreh se bashkëpunimi dy palësh do të vijojë në disa sektorë:

“Në një periudhë 20 vjeçare janë realizuar nga Agjencia TIKA rreth 527 vepra. Tashmë ajo është fokusuar jo vetëm te arsimi dhe kultura, por edhe te fusha e shëndetësisë. Për të rigjallëruar këtë trashëgimi historike dhe në fushën e turizmit, patjetër, ne jemi fokusuar të punojmë fort në këtë drejtim. Qëndrimet e kryeministrit tuaj kanë ndikuar që edhe ne të thellojmë akoma marrëveshjet e bashkëpunimit. Një ndër çështjet apo temat që ne si qeveri i jemi kushtuar është edhe fusha e arsimit. Pikërisht sot gjendemi këtu për t’u siguruar fëmijëve ambiente sa më të mira. Në këtë kuadër, vlerësoj si një investim në fushën e arsimit edhe hapjen e kësaj godine. Edhe ne si qeveri të udhëhequr nga direktivat e presidentit tonë Erdogan po vazhdojmë praktikimin e këtyre marrëveshjeve. Padyshim që këto do të jenë kontribute që do shërbejnë  për të ardhmen e të dyja vendeve.”