RTSH 24 Live

Politikë

Gjiknuri prezanton Blendi Klosin si drejtues politik në Qarkun e Lezhës

14/09/2021

Gjiknuri prezanton Blendi Klosin si drejtues politik në Qarkun e Lezhës

 Nisi sot turi i takimeve prezantuese të drejtuesve politikë të Qarqeve, pas vendimeve të marra në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste.

Sekretari i Përgjithshëm, Damian Gjiknuri, e nisi turin me Lezhën, ku u bë kalimi i stafetës së drejtimit të këtij qarku nga Lindita Nikolla tek Blendi Klosi.

Në fjalën e tij, Gjiknuri, duke shprehur konsideratën për punën e bërë nga Lindita Nikolla në këto vite si drejtuese e Qarkut Lezhë, tha se është një vlerë e shtuar që Kryetarja e Kuvendit zgjidhet nga kjo zonë.

Lindita Nikolla në fjalën e saj shprehu mirënjohjen për gjithë punën e bërë nga strukturat e Partisë Socialiste për arritjen e objektivit në zgjedhjet e vitit 2021, duke theksuar se kjo frymë bashkëpunimi do të vijojë edhe me drejtuesit e rinj.

“Ishin zgjedhje të vështira, dua t’ju falenderoj të gjithëve për punën dhe falë kësaj pune, ne arritëm që të përmbushim objektivin, që na ishte caktuar. Mirënjohje të gjithë kryetarëve të bashkisë dhe të partisë, edhe pse të gjithë kanë bërë refleksionet e tyre, se ku çaloi puna dhe çfarë duhet të përmirësojmë për zgjedhjet e ardhshme. Dua t’i uroj suksese në detyrën e re Klosit dhe Damianit, vijnë nga qarqe me rezultate të shkëlqyera dhe kjo, jam e bindur që do t’i japi një impuls të ri punës në këtë zonë”, tha Nikolla.

Gjithashtu Gjiknuri vlerësoi edhe vendimin e marrë në Asamblenë e Partisë Socialiste për caktimin e Klosit si drejtues politik në Qarkun e Lezhës.

“Kryesia vendosi të delegojë Blendi Klosin si koordinator politik, një nga personat me kontribut të lartë në familjen tonë politike. Klosi ka arritur rezultate shumë të mira, ka pasur rol organizativ edhe më herët dhe ka marrë rezultate të shkëlqyera. Eksperienca e tij do të jetë një plus për Qarkun e Lezhës. Por dihet që puna e tij do të duhet të mbështetet dhe nga strukturat e partisë për të arritur rezultate maksimale”, tha Gjiknuri.

Nga ana e tij, Blendi Klosi, në cilësinë e Drejtuesit të ri Politik të Qarkut Lezhë, tha se kjo është një detyrë sfiduese që të gjithë politikanët do të duhet ta marrin përsipër.

“Ndjesi pozitive kur m’u tha emri për Qarkun Lezhë, sepse mendoj se është një nga sfidat, që ne politikanët duhet t’i plotësojmë. Duhet të dëshmojmë që jeta jonë dhe politika është një profesion që s’duhet të ngecësh në vend. Objektivi i këtij grupi është shumë i qartë: të tre bashkitë e fituara t’i fitojmë sërish”, tha Klosi.

Në mbyllje të fjalës së tij, Gjiknuri, theksoi se mandati i tretë është i vështirë, sepse kërkon më shumë përgjegjësi dhe përkushtim ndaj qytetarëve dhe se duhet filluar përgatitja për zgjedhjet e ardhshme elektorale.

Gjithashtu, ai bëri me dije se mbështetja e tij si Sekretar i Përgjithshëm nuk do të mungojë për askënd, në mënyrë që të përmbushen të gjitha detyrat e caktuara në Asamblenë Kombëtare për riorganizimin e brendshëm, energjizimin e mëtejshëm të çdo organizate socialiste dhe përmbylljen e këtij procesi riorganizimi me krijimin e regjistrit digjital të Partisë Socialiste.