RTSH 24 Live

Ekonomi

Gjermania kërkon emigrantë për të përballuar mungesën e fuqisë punëtore

11/01/2022

Gjermania kërkon emigrantë për të përballuar mungesën e fuqisë punëtore

Gjermania do të ketë nevojë për emigrantë për të parandaluar një mungesë të theksuar të  fuqisë punëtore çka pritet të sjellë shqetësime të mëdha për një nga ekonomitë më të mëdha të Evropës. Kështu bëri me dije ministri i ekonomisë Robert Habeck, i cili paralajmëroi se nëse nuk gjendet një zgjidhje për këtë problem, pasojat do të jenë serioze.

"Aktualisht janë krijuar 300,000 vende pune dhe ne presim që ky numër të kalojë një milion. Nëse nuk e mbyllim këtë hendek, do të kemi probleme reale të produktivitetit," tha ministri, i cili mban edhe postin e zv.kancelarit në qeverinë e re trepalëshe të Gjermanisë, të udhëhequr nga socialdemokrati Olaf Scholz. 

Sipas tij, emigracioni do të jetë kyç për inxhinierët, zejtarët dhe kujdestarët, megjithëse vetë shteti do t'i ndihmojë në përmirësimin e trajnimit dhe fleksibilitetin me punën.

Instituti i Ekonomisë Gjermane vlerëson se fuqia punëtore do të tkurret me më shumë se 300,000 vende pune këtë vit, pasi vendi ka më shumë punëtorë të vjetër që dalin në pension sesa punëtorë më të rinj që hyjnë në tregun e punës.

Ky hendek parashikohet të zgjerohet në më shumë se 650,000 në vitin 2029. Pavarësisht pandemisë së koronavirusit, numri i gjermanëve të punësuar u rrit në afro 45 milionë në vitin 2021. Pas dekadave të niveleve të ulëta të lindjeve dhe imigrimit të pabarabartë, fuqia punëtore në rënie është një bombë demografike me sahat për sistemin publik të pensioneve gjermane.

Tre partitë qeverisëse të vendit ranë dakord në negociatat e tyre të koalicionit për të reduktuar pengesat për punëtorët e kualifikuar nga jashtë dhe për ta bërë punën përsëri më tërheqëse, me masa të ndryshme, duke përfshirë rritjen e pagës minimale kombëtare në 12 euro (13.60 dollarë) në orë.