RTSH 24 Live

Botë

Gjermania e gatshme të pranojë dezertorët rusë: Kush kundërshton Putinin, i mirëpritur të vijë te ne

22/09/2022

Gjermania e gatshme të pranojë dezertorët rusë: Kush kundërshton Putinin, i mirëpritur të vijë te ne

Gjermania është gati të pranojë dezertorët rusë që kundërshtojnë Putinin. Sinjali u dha nga ministrat pas raporteve se njerëzit po largohen nga mobilizimi i pjesshëm i urdhëruar nga Putin.

“Dezertorët e kërcënuar me represion serioz, si rregull, mund të marrin mbrojtje ndërkombëtare në Gjermani. Kushdo që kundërshton me guxim regjimin e Putinit dhe në këtë mënyrë bie në rrezik të madh, mund të kërkojë azil për shkak të persekutimit politik”, tha Ministrja e Brendshme Nancy Faeser.

Edhe Ministri i Drejtësisë Marco Buschmann shkroi në Twitter “kushdo që urren rrugën e Putinit dhe e do demokracinë liberale është i mirëpritur në Gjermani".

Gjermania ka pranuar rreth një milion ukrainas që ikin nga pushtimi i Rusisë, por gjithashtu ka mirëpritur disidentët rusë.

Ministrja e Brendshme tha se 438 disidentë rusë kanë përfituar nga një proces i përshpejtuar për të marrë mbrojtje në Gjermani. Megjithatë, ajo vuri në dukje se azili politik nuk jepet automatikisht, pasi aplikantët fillimisht do t'i nënshtroheshin kontrolleve të sigurisë.

/rtsh.al/