RTSH 24 Live

Kosova

Gjashtë muajt e parë të presidencës Biden nën hijen e Trump dhe Covid-19

19/07/2021

Gjashtë muajt e parë të presidencës Biden nën hijen e Trump dhe Covid-19

Lufta kundër Covid-19, kthimi i SHBA-së në skenën ndërkombëtare, tërheqja nga Afganistani dhe beteja për të drejtat e njeriut, kanë qenë në fokus të gjashtë muajve të parë të presidencës në Zyrën Ovale të presidentit, Joe Biden.

Gjatë këtyre muajve Biden provoi të shkëputej nga trashëgimia e Donald Trump për të krijuar një markë e vet në Amerikën e së ardhmes.

Pas entuziazmit fillestar, tani presidenti duhet të merret me realitetin, mes pengesave të republikanëve dhe menaxhimit të krizave ndërkombëtare nga Haiti në Kubë, pa harruar rivalitetet me Kinën dhe Rusinë.

Përveç problemeve ndërkombëtare Biden duhet të përqendrohet edhe tek vaksinimi i plotë në shtetet republikane, pasi përqindja e vaksinuarve është e ulët dhe urgjenca Covid-19 me variantin Delta mbetet ende një kërcënim.

Këto janë të njëjtat shtete që kanë nisur shtrëngimin e të drejtave të votimit, ligjet e rrepta të abortit e kufizimet mbi imigrantët duke u ndeshur me vizionin e Biden për Amerikën e së ardhmes.

Megjithatë, presidenti mbetet optimist në lidhje me aftësinë e tij për të bashkuar vendin, për ta modernizuar atë dhe për ta shtyrë drejt një të ardhmeje më të drejtë./ATSH