RTSH 24 Live

Televizion

Gazetarja e Al Jazeera-s u vra nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor

11/05/2022

Gazetarja e Al Jazeera-s u vra nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor

Gazetarja veterane e Al Jazeera, Shireen Abu Aqleh, u qëllua për vdekje nga trupat izraelite të mërkurën teksa mbulonte një bastisje në kampin e refugjatëve Jenin në Bregun Perëndimor të pushtuar, njoftuan mediat.

Al Jazeera tha se Abu Aqleh, 51 vjeç, një figurë e shquar në shërbimin arab të lajmeve të kanalit u qëllua "qëllimisht" dhe "me gjakftohtësi" nga trupat izraelite.

Ushtria izraelite konfirmoi se kishte kryer një operacion të mërkurën herët në kampin e refugjatëve Jenin, një bastion i grupeve të armatosura palestineze në Bregun Perëndimor verior.

Megjithatë, ajo mohoi me vendosmëri se kishte shënjestruar qëllimisht gazetarët.

“(Ushtria) sigurisht që nuk synon gazetarët”, tha një zyrtar ushtarak për AFP.

"Ka një hetim në vazhdim për këtë ngjarje. Ne ofruam dhe duam të kryejmë një hetim të përbashkët me palestinezët." tha ai.

Ushtria tha se kishte një shkëmbim zjarri midis të dyshuarve dhe forcave të sigurisë dhe se po "hetonte ngjarjen dhe po shqyrtonte mundësinë që gazetarët të ishin goditur nga persona të armatosur palestinezë".

Një fotograf i AFP-së në vendngjarje tha se Abu Aqleh kishte veshur një xhaketë shtypi kur u qëllua.

Al Jazeera i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t'i mbajë forcat izraelite përgjegjëse për "shënjestrimin dhe vrasjen e qëllimshme" të Abu Aqleh.

 “Në një vrasje flagrante, duke shkelur ligjet dhe normat ndërkombëtare, forcat okupatore izraelite vranë gjakftohtësisht korrespondentin e Al Jazeera në Palestinë”, shkruhet në deklaratë.

/rtsh.al/