RTSH 24 Live

Kronika

Fushata Zgjedhore, mjekët bëjnë thirrje publike për të respektuar masat e vendosura antiCovid

24/02/2021

Fushata Zgjedhore, mjekët bëjnë thirrje publike për të respektuar masat e vendosura antiCovid

Një grup mjekësh shqiptarë, të cilët punojnë brenda dhe jashtë vendit, kanë publikuar një letër të hapur për publikun dhe institucionet kryesore të vendit si dhe partitë politike, duke këshilluar respektimin e masave antiCovid, të cilat janë përcaktuar me ligj. 
Në të shkruhet se me rastin e afrimit të zgjedhjeve të përgjithshme të 25 Prillit 2021, ne, personeli mjekësor, shohim me shqetësim respektimin dhe mbarëvajtjen e masave antiCovid. Duke qenë se shifrat e infektimeve të reja dhe akoma më tepër të vdekjeve, janë në një trend rritës shqetësues, mjekët bëjnë thirrje së pari, që të zbatohet urdheri për ndalimin e grumbullimeve me më shumë se 10 persona në vende të mbyllura dhe të hapura. Përdorimin  e detyruar të barrierave mbrojtëse maskave, mbajtjes së distancës fizike prej 2 metrash, nga të gjithë personat, brenda dhe jashtë ambjenteve të qendrës së votimit. Gjithashtu, votuesit duhet të mbajnë maskën mbrojtëse gjatë gjithë kohës, me përjashtim kur duhet të identifikohen nga anëtari i këshillit të vendvotimit, shkruhet në këtë letër. 
Gjithashtu ky grup mjekësh kërkojnë që gjatë ditës së zgjedhjeve në vendvotim duhet të vendosen edhe dezinfektuesit që duhet të përdoren nga votuesit në hyrje dhe në dalje nga vendvotimi. 
Me anë të letrës kërkohet marrja e masave të duhura organizative nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), për të regjistruar personat që janë të infektuar me SARS-CoV 2, ata që janë në karantinë apo izolim të detyruar, si dhe të kujdeset për përditësimin e listës së këtyre votuesve në kohë reale. 
Grupet në risk personat mbi 65 vjeç, si dhe ato që vuajnë nga sëmundje shoqëruese  t’i shmangin aktiviteteve parazgjedhore sipas rekomandimeve te Organizatës Botërore te Shëndetësisë. 
Është momenti i duhur për të treguar që të gjithë bashkë, do mund t’ja dalim, të luftojmë këtë pandemi përfundon letra e hapur e mjekëve shqiptarë.