RTSH 24 Live

Politikë

Fushata për kreun e PD, Berisha nga Elbasani: Yuri Kim po bën fushatë elektorale kundër meje

13/05/2022

Fushata për kreun e PD, Berisha nga Elbasani: Yuri Kim po bën fushatë elektorale kundër meje

Sali Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj ambasadores Yuri Kim duke thënë se po bën fushatë elektorale kundër tij për të caktuar kryetarin e PD-së. Nga Elbasani, ku nisi fushatën për kreun e Partisë Demokratike, Berisha komentoi deklaratën e ambasadores Yuri Kim e cila tha se “asnjë vendim ‘non grata” dhënë nga SHBA nuk është ndryshuar deri më sot”. Për Berishën kjo është fushatë kundër tij dhe ndërhyrje e ambasadores në punët e brendshme të PD.

“Fushatë elektorale kundër Berishës në prag të garës së tij për kryetar të PD. Kaq ashtë komenti im. I bëj thirrje qeverisë së SHBA dhe Biden mos të lejoje përfaqësues të tij që të ndërhyjnë në punë të brendshme të PD dhe përpjekje të paimagjinueshme për të caktuar kryetarin e opozitës shqiptare, partisë konservatore shqiptare. Kaq kisha!”, tha Berisha.

Më herët ambasadorja Kim tha se ka “mbi 200 persona janë përcaktuar nga Sekretari i Shtetit për korrupsioni domethënës dhe iu është ndaluar hyrja në SHBA dhe nga këta, zero raste janë zmbrapsur”.

Berisha foli edhe për mospranimin e mocionit të tij për masakrën e Srebrenicës në Kuvend, ku tha se PS fshihet pas non grata-s për të mos e futur mocionin në kalendarin e punës.

“Nuk kishte gjë më të rëndë se ajo e djeshmja. Si mund të kemi ndjeshmëri ndaj kombi që ka varrosur 8 mijë djem dhe burra. Njeri pa përgjegjësi ka qenë njeriu primitiv. Del e thotë fajin e ka ky për rezolutën. Çfarë ishte kjo? Çështja e non grata-s ishte motiv për të dalë kundër. Mua më motivonte krenaria e të qenit shqiptar”, tha Berisha.

Më 22 maj Partia Demokratike do të zhvillojë zgjedhjet për kryetarin e partisë, ku dy kandidatët janë Sali Berisha dhe Ibsen Elezi. Vetë Elezi ka thënë më herët se gara është e pabarabartë dhe e cilësuar Komisionin e Rithemelimit si “manipulator votash”.

/rtsh.al/