RTSH 24 Live

Kosova

Ftesa nga ambasadori amerikan/ LDK: Asociacioni është kompetencë dhe përgjegjësi e Qeverisë

30/01/2023

Ftesa nga ambasadori amerikan/ LDK: Asociacioni është kompetencë dhe përgjegjësi e Qeverisë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) tha se është ftuar nga Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, që të marrë pjesë në takimin e 31 janarit, në të cilin do të diskutohet çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. LDK tha se në këtë takim “do të konfirmojë edhe njëherë mbështetjen për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, me përfshirjen e plotë të SHBA-së”, por në lidhje me Asociacionin, kjo parti tha se vlerëson se kjo çështje është “kompetencë dhe përgjegjësi e Qeverisë”.

“Kompetencat dhe përgjegjësitë kushtetuese nuk kanë alternativë, prandaj LDK-ja, në rolin e saj opozitar, s’ka se si t’i ushtrojë ato. Opozita nuk mund t’i marrë përgjegjësitë e shumicës dhe as të Qeverisë së kësaj shumice. Prandaj pjesëmarrja e institucioneve shtetërore në këtë proces është domosdoshmëri e pazëvendësueshme”, thuhet në njoftim.

LDK-ja tha se i bën thirrje Qeverisë t’i ushtrojë përgjegjësitë e saj si shumicë dhe ta trajtojë çështjen e Asociacionit në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe në koordinim të ngushtë me aleatët tanë. Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Po në këtë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën. Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

/rtsh/