RTSH 24 Live

Sociale

Fshati Stegopul në një ditë pranvere

12/04/2021

Fshati Stegopul në një ditë pranvere

Stegopuli është një fshat në bashkinë e Libohovës. Fshat në skajin më jug-lindor të krahinës së Lunxhërisë. Stegopuli është fshat malor i tipit të pllajës. Ai është me ndërtime të ngjeshur dhe kopshte të vegjël. Ndahet në disa pjesë të quajtura “çeta” sipas fisit apo grupit të familjeve. Ndërtimet e hershëm, kanë pasur arkitekturë që i qasej ndjeshëm banesës qytetare Gjirokastrite. Dikur me më shumë se 170 banorë që merreshin kryesisht me blegtori dhe bujqësi për të mbajtur familjet, ndërkohë që edhe mërgimi ndihmonte në jetesën e fshatarëve pasi nga çdo shtëpi, një antar i familjes jetonte atje larg.

Tani në Stegopul, kanë ngelur rreth 50 banorë, shumica e të cilëve të moshuar. Gjatë kësaj stine ata i gjen të gjitë nëpër oborret e banesave dhe në kopshtet e shtëpive duke bërë punët e stinës, duke u kujdesur për të mbjellat. Edhe pse shumica kanë mërguar, kthehen hera-herës dhe investojnë në banesat e tyre. Falë investimeve të viteve të fundit nga qeveria por dhe nga banorët që kanë filluar të çelin shtëpitë si bujtina, sektori i turizmit në këtë fshat, po shihet prej tyre si një perspektivë jo vetëm për ekonominë por edhe për kulturën.

Mjedisi i fshatit ka mikroklimë malore, të ashpër në dimër, por me verë të freskët. Monumentet e kultit kanë një arkitekturë të nivelit të lartë që tërheqin vëmendjen e çdo vizitori që rastis të kalojë këndej, ndërsa banorët janë mikpritës, puntorë dhe tepër të dashur.