RTSH 24 Live

Aktualitet

Fshati Panarit i bllokuar prej dy javësh

22/01/2021

Fshati Panarit i bllokuar prej dy javësh

Rreth 40 familje në fshatin Panarit të Korçës prej dy javësh janë të izoluar nga dëbora dhe ngricat. Rruga deri në qendër të njësisë administrative të Vithkuqit kalohej pa probleme, ndryshe ishte situata e rrugës nga Vithkuqi në drejtim të Shtyllës për të kaluar në maloret e forta të këtij aksi rrugor mjeti duhet të jetë i pajisur me zinxhirë në të kundërt kalimi është i pamundur. Fshati i Shtyllës ashtu si dhe Panariti e fshatra të tjerë të njësisë administrative Vithkuq dimrin e kalojnë me vështirësi të mëdha. Banorët e fshatit Shtyllë tregojnë se jeta në fshatin e tyre është e vështirë edhe për shkak të gjendjes ekonomike dhe të ardhurave të pakëta që ata kanë. Banorët që kanë gjendje më të mirë ekonomike janë larguar drejt Korçës apo qyteteve të tjera, familjet e mbetura këtu janë në gjendje të mjerueshme ekonomike.

Për Panaritasit e vetmja rrugë komunikimi është ajo nga fshatrat Trebickë e Shëmtirë për të shkuar drejt Ersekës, qoftë edhe për të kërkuar ndihmë mjekësore. Për sa kohë rruga Vithkuq-Shtyllë është e kalueshme me zinxhirë banorët komunikimin me Korçën e kanë më të lehtë.