Një aksident automobilistik në aksin rrugor Lushnjë–Fier i ka marrë jetën të dielën një 77-vjeçari, i cili po transportohej me ambulancë drejt Tiranës, pasi ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.
Pacienti Dashamir Koçaj po çohej me urgjencë drejt kryeqytetit kur befas autoambulanca me të cilën po transportohej është përplasur me një kamion dhe për pasojë ai ka gjetur vdekjen.
Nga përplasja është plagosur edhe drejtuesi i autoambulancës dhe infermieri, të cilët janë dërguar në spitalin e Lushnjës për mjekim. Pasagjeri Elvis Banushaj është jashtë rrezikut për jetën.
Nga të dhënat e deritanishme, RTSH.al mëson se mjeti kamion tip "Iveco" me drejtues shtetasin Leonard Gjini është përplasur me mjetin tip Ford (autoambulancë), me drejtues shtetasin Flori Ramo.
Aksidenti ka bllokuar edhe trafikun në aksin rrugor Lushnjë–Fier.
Policia është në vendngjarje, jo vetëm për të zbardhur dinamikën e këtij aksidenti të rëndë, por edhe për të mundësuar zhbllokimin e trafikut.
/rtsh.al/