RTSH 24 Live

Botë

FOTOT- Sulmi izraelit, shpërthim i fuqishëm në portin e Jemenit

3 orë para

FOTOT- Sulmi izraelit, shpërthim i fuqishëm në portin e Jemenit

Disa video dhe foto janë postuar në mediat sociale që tregojnë sulmin izraelit në portin jemenas të Hodeidah. BBC ka mundur të bëjë edhe verifikimin e vendndodhjes dhe kohën e kësaj videoje, e cila tregon një shpërthim të madh në port.

Izraeli thotë se po përdor dhjetëra avionë për të goditur infrastrukturën në Jemen. Izraeli thotë se po synon lokacione që mundësojnë importimin e armëve iraniane në rajon dhe se po i përgjigjet sulmeve nga Huthi në Izrael. Raketat e lëshuara nga Jemeni drejt Izraelit u kapën të premten dhe të shtunën.

Ministri i mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, tha: "Unë vizitova dhomën e komandës dhe kontrollit të IAF [Forca Ajrore izraelite], ku ndoqa sulmin e kryer kundër organizatës terroriste Houthi”.

"Mesazhi ynë është i qartë - për ne, asnjë vend nuk është shumë larg.", tha ai.

Izraeli ka nisur sulme ajrore në portet jemenase të Hodeidah dhe Ras Isa. Forcat Ajrore izraelite shënjestruan termocentralet dhe një port detar në sulm, sipas një deklarate nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit.

Televizioni Al-Masirah i drejtuar nga Houthi raportoi për sulmet të dielën, duke konfirmuar se ato kishin shënjestruar portet dhe stacionet elektrike Al-Hali dhe Ras Katheeb.

“Nëpërmjet infrastrukturës dhe porteve të sulmuara, regjimi Houthi transferon armë iraniane në rajon dhe furnizime për nevoja ushtarake, dhe kështu edhe naftë”, tha IDF në deklaratë.

Ai shtoi se sulmi ishte "në përgjigje të sulmeve të fundit të kryera nga regjimi Houthi kundër Shtetit të Izraelit".

Zëdhënësi Houthi, Mohammed Al Bukhaiti i ka përshkruar sulmet si "agresion amerikano-britanik", duke thënë se Izraeli është një "zgjatim" i tij i përdorur "si një mbulesë për t'iu shmangur përgjegjësisë morale".

Ai shton: “Ne do të merremi me [sulmin] mbi këtë bazë”.

/rtsh.al/