RTSH 24 Live

Botë

FOTOT/ Lufta urbane, 10.000 ushtarë ukrainas po trajnohen në Britani

15/08/2022

FOTOT/ Lufta urbane, 10.000 ushtarë ukrainas po trajnohen në Britani

Disa javë më parë, Serhiy ishte një analist biznesi në  kompaninë IT. Zakhar ishte një inxhinier ndërtimi. Tani ata janë ushtarë, që po stërviten për të çliruar Ukrainën nga pushtimi rus.  Ata janë në mesin e disa qindra rekrutëve ukrainas që po zhvillojnë një formë intensive të trajnimit të këmbësorisë në një bazë ushtarake në Anglinë juglindore.  

Ata janë një grup prej 10,000 ushtarësh ukrainas, që për 120 ditë do të stëviten nga ushtria britanike, sidomos për luftë urbane. Ukrainasit mendojnë të dëbojnë trupat ruse nga rrugët e qyteteve të tyre. "Pjesa më e rëndësishme është trajnimi urban, sepse është lufta më e rrezikshme, në qytete," tha Serhiy, i cili, si ukrainasit e tjerë, nuk donte që emri i tij i plotë të përdorej, për shkak të sigurisë.  “Instruktorët britanikë kanë shumë përvojë, nga Iraku, Afganistani. Ne mund t'i përshtatim të gjitha këto njohuri me situatën e Ukrainës dhe ta përdorim atë për të çliruar vendin tonë nga pushtimi rus.”-tha ai.

Britanikët po i stërvisin trupat ukrainase përmes një versioni të të këmbësorisë së Ushtrisë Britanike. Stërvitja mbulon trajtimin me armë, ndihmën e parë dhe taktikat e patrullimit. Qëllimi është që brenda disa javësh rekrutët e papërpunuar të kthehen në ushtarë të gatshëm për betejë.  "Ne po u mësojmë një kurs bazë këmbësorie, i cili merr rekrutët ukrainas dhe i mëson ata si të qëllojnë mirë, të lëvizin dhe të komunikojnë mirë, brenda çdo mjedisi taktik,”- thotë Major Craig Hutton, një oficer i Gardës Skoceze.  Hutton thotë se shumë nga trupat ukrainase kanë pak përvojë ushtarake, por “ata janë shumë të motivuar”.

Më shumë se 1,000 ushtarakë britanikë janë të përfshirë në misionin e trajnimit, i cili zhvillohet në katër baza rreth Britanisë. Edhe vende të tjera po dërgojnë ushtarakë trajnues, duke përfshirë Kanadanë, Holandën, Zelandën e Re dhe vendet nordike. Britania po i dërgon ukrainasit në shtëpi me uniforma të reja, forca të blinduara, helmeta dhe pajisje të tjera, pjesë e ndihmës ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar me vlerë 2.3 miliardë paund (2.8 miliardë dollarë), ku përfshihen gjithashtu raketa antitank dhe sisteme të sofistikuara raketash. Apnews

/rtsh.al/