RTSH 24 Live

Lifestyle

FOTO/ Neptuni siç nuk është parë ndonjëherë, Teleskopi hapësinor tregon imazhe të qarta të “gjigandit të akullit”

21/09/2022

FOTO/ Neptuni siç nuk është parë ndonjëherë, Teleskopi hapësinor tregon imazhe të qarta të “gjigandit të akullit”

Imazhet e reja të publikuara nga teleskopi hapësinor James Webb i NASA-s po zbulojnë Neptunin dhe unazat e planetit që janë të vështira për t'u zbuluar.

"Kanë kaluar tre dekada që kur i pamë për herë të fundit këto unaza të zbehta dhe me pluhur dhe kjo është hera e parë që i kemi parë ato në rrezet infra të kuqe", tha Heidi Hammel, një eksperte dhe shkencëtare ndërdisiplinore në projektin Webb.

Përveç disa unazave të qarta dhe të ngushta, imazhet e Webb tregojnë brezat më të zbehtë të pluhurit të Neptunit. Disa nga unazat nuk janë vëzhguar që kur Voyager 2 i NASA-s mori provën e parë fotografike të ekzistencës së unazave të Neptunit gjatë fluturimit të tij në 1989.

I errët, i ftohtë dhe i rrahur nga erërat supersonike, Neptuni është planeti më i largët në sistemin tonë diellor. Planeti dhe fqinji i tij Urani njihen si "gjigantët e akullit" sepse brendësia e tyre përbëhet nga elementë më të rëndë se gjigantët e gazit Jupiteri dhe Saturni, të cilët janë më të pasur me hidrogjen dhe helium.

Në imazhet e reja, Neptuni duket i bardhë, në krahasim me pamjen tipike blu që ka në pamjet e kapura në gjatësi vale të dukshme të dritës. Kjo është për shkak se metani i gaztë, pjesë e përbërjes kimike të planetit, nuk duket blu në Kamerën me Infra të Kuqe afër të Webb-it (NIRCam). Gjithashtu të dukshme në imazhe janë retë metan-akulli, vija të ndritshme dhe pika që reflektojnë dritën e diellit përpara se të përthithet nga gazi metan. Është gjithashtu e mundur të dallohet një vijë e ndritshme dhe e hollë që rrethon ekuatorin e planetit, e cila mund të jetë "një nënshkrim vizual i qarkullimit atmosferik global që fuqizon erërat dhe stuhitë e Neptunit.

Webb kapi gjithashtu shtatë nga 14 hënat e njohura të Neptunit, duke përfshirë hënën e tij më të madhe, Tritonin, i cili lëviz rreth planetit në një orbitë të pazakontë prapa. Astronomët mendojnë se Tritoni ishte ndoshta një objekt në Brezin Kuiper, një rajon me objekte të akullta në skajin e sistemit diellor, që ra në kontrollin gravitacional të Neptunit. Shkencëtarët planifikojnë të përdorin Webb-in për të studiuar më tej Tritonin dhe Neptunin në vitet e ardhshme.

I vendosur 30 herë më larg nga dielli se Toka, Neptuni lëviz nëpër orbitën e tij diellore në rajonin e largët dhe të errët të sistemit të jashtëm diellor. Në atë distancë, dielli është aq i vogël dhe i zbehtë sa që mesdita në Neptun është e ngjashme me një muzg të zbehtë në Tokë./ CNN

/rtsh.al/