RTSH 24 Live

Rajon

Forumi i Davos, Pendarovski: Ballkani në rrezik nga ndikimet ruse, NATO e BE t’i kushtojë vëmendje rajonit

17/01/2023

Forumi i Davos, Pendarovski: Ballkani në rrezik nga ndikimet ruse, NATO e BE t’i kushtojë vëmendje rajonit

“Rusia përbën rrezik për stabiliotetin e rajonit të Ballkanit”, kështu u shpreh presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski gjatë fjalës së tij në Forumit Ekonomik në Davos.

Pendarovski tha se NATO dhe BE duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje rajonit.

“Ekzistojnë dy pika të ndjeshme në rajon Republika Sërpska dhe veriu në Republikën e Kosovës, ku tentohet të cenohet integriteti i këtyre vendeve, andaj NATO-ja dhe Bashkimi Evropian duhet t’i kushtojnë vëmendje. Nuk jam i shqetësuar nëse do të kemi unitet dhe solidaritet transatlantik dhe panevropian edhe këtë vit, por pyes veten nëse do të ruhet kur të përfundojë lufta në Ukrainë dhe ky është çelësi që demokracia të mbizotërojë mbi autokracinë”, tha Pendarovski.

Pendarovski tha se Europa duhet të ketë unitet të plotë edhe pas luftës në Ukrainë, ku demokracia duhet të mbizotërojë për një botë më të mirë.

“Nëse demokracitë nuk qëndrojnë së bashku, duke respektuar të njëjtat vlera dhe duke luftuar për to ndonjëherë fjalë për fjalë, atëherë autokracitë do të mbizotërojnë. E pamë vitin e kaluar kur filloi lufta në Ukrainë dhe më parë në Bjellorusi se dilema dhe beteja bazë është midis demokracisë apo autokracisë, pra diktaturës siç është sot në Rusi. Prandaj duhet të kemi unitet dhe solidaritet të plotë edhe pas luftës në Ukrainë. Kemi nevojë për një botë më të mirë", tha Pendarovski.

/rtsh.al/