RTSH 24 Live

Aktualitet

Formulari i Këshillimit Kombëtar, Rama: Le të dëgjojmë njëri-tjetrin, me kurriz nga llogoret partiake dhe sytë nga e ardhmja e ndritur

19/01/2022

Formulari i Këshillimit Kombëtar, Rama: Le të dëgjojmë njëri-tjetrin, me kurriz nga llogoret partiake dhe sytë nga e ardhmja e ndritur
 

Kryeministri Edi Rama përmes një videomesazhi iu drejtua qytetarëve në nisje të Këshillimit Kombëtar, ndërsa theksoi se çdo shtëpi shqiptare do të marrë një pyetësor të Këshillimit Kombëtar përmes postës.

“Është koha të nxjerrim të gjithë mësimet tona nga këto tri dekada përpjekje demokratike dhe të mos lejojmë që llogoret partiake apo kacafytjet për interesa personale brenda tyre, të na marrin peng të ardhmen në emër të së shkuarës, të klisheve të vjetra “i djathtë”, “i majtë”, të besnikërisë ndaj atij apo atij tjetrit”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se “është koha të flasim më shumë si shqiptarë, si qytetarë, si njerëz, sesa si luftëtarë llogoresh, mllefesh, inatesh kundër njëri-tjetrit”.

“Është koha të dëgjohemi për mendimet dhe idetë e secilit për shtëpinë tonë të përbashkët, Shqipërinë, e të këshillohemi së bashku për vendimet me rëndësi për familjen shqiptare”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se, “besoj se ne shqiptarët kemi mundësinë të shkojmë shumë më shpejt përpara duke e dëgjuar njëri-tjetrin dhe duke menduar për njëri-tjetrin. Ju po njiheni dita-ditës me një nismë të re të qeverisë, Këshillimin Kombëtar për Shqipërinë. Përmes një pyetësori që po mbërrin në shtëpitë tuaja, dua që t’i japim jetë një kuvendimi popullor, ku të merret mendimi i gjithsecilit, mbi çështje me rëndësi strategjike për vendin, ekonominë, familjen, drejtësinë, bashkëjetesën tonë demokratike”.

“Çdo shtëpi shqiptare do të marrë një pyetësor të Këshillimit Kombëtar përmes postës. Më të moshuarit mund ta plotësojnë pyetësorin dhe të na e ridërgojnë me postë pa asnjë shpenzim. Të tjerët mund ta japin opinionin e tyre, përmes faqes së Këshillimit Kombëtar online në platformën tonë të bashkëqeverisjes. Të gjithë do të mund të përdorin edhe pikat e Këshillimit Kombëtar që do të hapen në çdo bashki”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama tha se “le të dëgjojmë njëri-tjetrin, me kurriz nga llogoret partiake dhe sytë e imagjinatës nga e ardhmja e ndritur e Shqipërisë”.

Në 5 janar të këtij viti, Kryeministri Rama njoftoi nisjen e procesit të Këshillimit Kombëtar, përmes të cilit qytetarët do të shprehin mendimin e tyre lidhur me çështje që kanë të bëjnë me ekonominë, punën, familjen, drejtësinë, luftën kundër kriminalitetit, apo procesin e integrimit evropian të vendit.