RTSH 24 Live

Europë

Flet Veton Surroi: Bashkimi Europian të çelë sa më shpejt negociatat me Shqipërinë

08/04/2022

Flet Veton Surroi: Bashkimi Europian të çelë sa më shpejt negociatat me Shqipërinë

Publicisti dhe politikani kosovar Veton Surroi ka sugjeruar që Bashkimi Europian të çelë sa më shpejt negociatat me Shqipërinë. Gjatë një interviste me RTSH 24, zoti Surroi ka folur edhe për qeverisjen e Kosovës nga Lëvizja Vetvendosje, por edhe situatën e krijuar nga sulmi rus mbi Ukrainë. Me zotin Surroi bisedoi gazetari Nolian Lole.

Zoti Surroi faleminderit që pranuat ftesën!

Faleminderit për ftesën!

Do të doja ta nisja këtë intervistë me ju nga Levizja Vetëvendosje, është transformuar nga një lëvizje populiste deri diku anarkiste në një parti që po qeveris sot Kosovën. Si e shihni këtë transformim ndër vite?

Unë mendoj se është një evolucion i cili po ndodh, Lëvizja Vetëvendosje është pjesë e Internacionales Socialiste dhe aspiron të jetë një fuqi socialdemokrate në Kosovë. Kjo flet mirë për evolucionin politik në Kosovë sepse kemi të bëjmë me disa parti të identifikueshme brenda familjeve europiane, LDK është pjesë e familjes së djathtë të partive popullore dhe kjo më duket një ecje normale dhe e mirë e Kosovës.

Si po e qeveris Albin Kurti në këtë vit Kosovën?

Për mua është e vështirë të flas për qeverinë sepse jam konsulent i saj dhe kam konflikt interesi. Por çfarë po ndodh në Kosovë është një ndryshim transformative, kemi të bëjmë jo vetëm me një qeveri të re, por me një sistem të ri qeverisës. Me një qeverisje të re në të cilën egziston një përkujdesje më e madhe ndaj parasë publike,një përqëndrim më i madh te idetë zhvillimore, egziston një përgjegjësi më e madhe ndaj premtimeve të bëra dhe egziston një qëndrim i cili është konskekuent për sa i përket negociatave me Sërbinë.

Megjithatë ka zëra kundërshtarë të qeverisë që thonë se po bën të njëjtat gabime si qeveritë e mëparshme, sidomos me emërime nepotike.

Nuk besoj se qeveria aktuale shquhet për nepotizëm,qeveritë e kaluara kanë patur një sistem gati feudal të qeverisjes ku fshatra të tërë janë përfshirë në qeverisje. Egziston një distancë bukur e madhe mes këtij modeli qeverisjeje dhe modeleve të qeverive të kaluara.

Albin Kurti thotë se po lufton korrupsionin, po lufton varfërinë në Kosovë...a po e bën një gjë të tillë?

Padyshim që egziston një luftë e qartë kundër korrupsionit në Kosovë dhe kjo luftë nis me vetë qeverinë dhe kur qeveria nuk prodhon skandale korruptive,do të thotë se po lufton brenda vetes dhe ky është një parakusht i mirë për të luftuar korrupsionin.

A ja doli Vetëvendosje të largojë nga skena politike krahun e luftës në Kosovë apo këtë po e bëjnë gjykatat?

Nuk besoj se ka ndonjë qëllim për të larguar kah të askujt në jetën politike,unë mendoj se ajo që po ndodh është një profilizim i jetës politike të Kosovës me ide jo me personalitete edhe pse në këtë rast kemi të bëjmë me Kryeministrin që për partinë e tij është personalitet kryesor,lideri i partisë së vet. Por më lejoni të kujtoj që debate politik në Kosovë është i asaj natyre që në zgjedhjet parlamentare Vetëvendosje fitoi 51 % ndërkohë që në zgjedhjet lokale fituan partitë që janë në opozitë, kështu që është krijuar një balancë politike, demokratike që flet bukur shumë për pjekurinë institucionale në Kosovë.

Megjithatë lufta çlirimtare është ende e paprekshme në Kosovë, por duket sikur e prek vetëm Gjykata e Hagës. Si i vlerësoni këto procese ndaj udhëheqësve të kësaj lufte?

Tani kemi të bëjmë me mbi 20 vjet nga përfundimi i luftës dhe kemi distancë historike,kjo do të duhej të ishte çështje historianësh nuk do të duhej të ishte as gjykatash dhe as politike. Për fat të keq historiografia jonë është shumë e dobët dhe deri në momentin kur të arrijme në një fazë të kuptimit kritik të historisë të asaj çfarë ka ndodh atëhere do të kemi kësoj lëvizje që më shumë janë romantike, më shumë përshkruese se sa që përpiqen të kuptojnë realitetin në kontekstin real historik.

A mund të flasim për një front antishqiptar në Europë duke përfshirë edhe lëvizjet në Gjykatën e Hagës?

Nuk besoj se kemi një front antishqiptar. Në masë të madhe shqiptarët në Ballkanin Perëndimor po tregohen një popull i përgjegjshëm që ruan paqen, që evoluon, që punon, një popull që ka një diasporë të jashtëzakonshme, një emigracon mjaft të madh që komunikon me shtetet  ku gjendet, pra një popull i ri në kuptimin e moshës dhe dinamik dhe që është duke u zhvilluar, ky është perceptimi historik i shqiptarëve sot.

A dalloni një qëllim për të përbaltur luftën çlirimtare të UÇK?

S’do mend se egzistojnë qarqe të tilla, që prej fillimit në propagandën ruse të viteve ’90 UÇK thuhej që këta ishin kriminelë, bosë të drogës, kontrabandistë, merren me prostitucion etj. Ky mit i Rusisë po shihet ku shkoi me luftën në Ukrainë, ky narracion rus sot thotë se po lufton nazizmin në Ukrainë kur në krye të shtetit Ukrainës është një Hebre tregon se sa konsistencë ka.

Si parashikoni se do të mbyllen këto procese?

Këto procese duhet të mbyllen me një marrëveshje paqeje, mendoj se duhet te egzistojë një moment kur kuptohet se i tërë rajoni vetëm përfiton nga paqja dhe bashkepunimi dhe jo nga konfrontimi.

Tregojnë këto procese se Kosova nuk ka bërë sa duhet në këto 20 vite për të treguar krimet Serbe ndaj Shqiptarëve?

S’do mend! S’do mend që Kosova nuk ka insistuar, për shembull te çështja e të zhdukurve imagjinoni pas 23 vjetësh ende jemi në një situatë kur kemi 1600 të zhdukur, kufomat e të cilëve nuk jane gjetur. Pra janë 1600 familje që ende jetojnë me këtë dhe me ato 1600 familje jeton e tërë Kosova, e jo vetëm Kosova por edhe Serbia. Sepse ka serbë të Kosovës që kanë të zhdukur. Kjo ndikon shumë keq te marrëdhëniet te jeta e njerëzve te mënyra se si përkujtojnë e kjo do të thotë se konflikti vazhdon në mendjet e tyre.

A mund të ketë një dialog pa pajtim në rradhë të parë?

Nga ana tjetër nuk mund të ketë pajtim pa marrëveshje, ndaj duhet aspiruar te e vërteta, ajo gjendet tek këto kufoma të pagjetura, të këtyre njerëzve që janë marrë nga shtëpitë e tyre që janë egzekutuar dhe varrosur në vende të panjohura. Këto tregojnë se lufta në fakt viktimat më të mëdha i ka civile. Nuk ka qënë një konfrontim i dy ushtrive me tanke, por ajo pjesë e luftës që u është drejtuar njerëzve të paarmatosur duke i egzekutuar e masakruar.

Sa mund të kemi marrëveshje nga dialogu? U prit shumë nga zgjedhjet në Serbi, por asgjë nuk ndryshoi...

Nuk do të jetë e lehtë sepse procesi është i rëndë. Zgjedhjet jo detyrimisht nuk prodhojnë ndryshime dhe siç po shihet nuk do të ketë ndryshime. Nuk ndodhi pritshmëria se do të kemi një ndryshim në Serbi do te kemi një forcë demokratike që do të thoshte ejani të merremi vesh, nuk ndodhi, kemi një realitet dhe duhet të ballafaqoihemi me këtë realitet marrëveshja duhet bërë me këtë turë politike që është në pushtet.

Marrëveshje me presion nga jashtë nga SHBA-BE?

Edhe me presion nga jashtë edhe nga brenda. Mos harroni që duhet të egzistojë një presion i nevojës për të mbërritur në paqe. Nuk mund të jetosh gjithnjë me luftën në mëndje,nuk mund të sakrifikohen gjenerata të tëra njerëzish të jetojnë në konflikte të papërfunduara. Kanë kaluar 23 vjet nga lufta dhe fëmijë të lindur në ‘99 sot janë 23 vjeç dhe në të dy anët e kufirit ata kanë dëgjuar rrëfime për njëri tjetrin vetëm si armiq. Duhet të ketë një moment kur të arrihet paqja.

Por sulmi rus në Ukrainë na tregon se sa delikate është në këto rajone....

Absolutisht prandaj është më me rëndësi për paqen në Europë që këtu të arrihen marrëveshjet sepse janë më të lehta shumë, më të lehta se sa këto që aspirohen në Ukrainë ku kemi nisjen e luftës dhe jo mbarimin e saj.

A rrezikon Ballkani nga Rusia?

Gjithnjë rrezikon Ballkani nga Rusia sepse Ballkanin Rusia e ka parë si pikë destabilizimi të idesë Euroatlantike. Gjithnjë kur ka patur mundësi është munduar të ndërhyjë dhe të krijojë momente destabilizuese në çdo shtet të Ballkanit.

A është një moment i mirë për shqiptarët me tre kryeministra tashmë në Ballkan?

Faktori shqiptar në përgjithësi është shndërruar në faktor stabiliteti ku mund të mbështetet stabiliteti i Ballkanit Perëndimor. Faktori shqiptar në Maqedoninë e Veriut tregoi se është faktor kryesor stabiliteti në atë shtet  që i rri si spirancë  aspiratës euroatlantike të atij vendi. Ndërsa faktori shqiptar në Malin e Zi ka treguar nevojën e përhershme e forcimit të Malit të Zi Euroatlantik.
Pra kudo ku ka shqiptarë ka aspiratë euroatlantike dhe ky është një zë i bashkuar i të gjithë shqiptarëve.

A ka ardhur momenti që BE ti përgjigjet pozitivisht kësaj aspirate?

S’do mend dhe përgjigjia immediate që nuk i kushton asgjë BE është çelja e negociatave për Shqipërinë. Shqipëria e ka merituar, populli shqiptar, të gjitha partitë politike që kanë bërë tërë këtë ndryshim dhe kanë treguar kapacitetin dhe dëshirën e këtij vendi për të qënë pjesë e BE sa më parë.