RTSH 24 Live

Kulturë

Flet Lili i "Kosheres": Altin Basha shkollë më vete. Ata që nuk e përballojnë dot autoritetin e quajnë vrazhdësi

17/03/2023

Flet Lili i "Kosheres": Altin Basha shkollë më vete. Ata që nuk e përballojnë dot autoritetin e quajnë vrazhdësi

Spektakli i humorit “Kosherja” rikthehet këtë të diel, tashmë në ekranin e RTSH. E ftuar në emisionin “Në radio”, që u transmetua paraditen e sotme në Radio Tirana 1, aktorja Françeska Hysi tregon se çfarë do të sjellë spektakli këtë sezon.

“Kosherja” do të vazhdojë të jetë në një nivel shumë të lartë të humorit dhe cilësisë. Përsa i përket situatave dhe personazheve, vazhdojmë të jemi me ata shumë të suksesshmit si dhe personazhe të reja.”

Françeska ka spikatur që në krye të herës me Lilin, një personazh shumë të dashur nga publiku. Aktorja thotë se karakteri i Lilit do të jetë edhe këtë sezon, por në një situatë krejt ndryshe. “Lili do të sfidohet pak më shumë dhe do të jetë interesante të shihet në rrethana të tjera. Ajo është larguar nga Korça dhe ka ardhur në Tiranë. Imagjinoni pak Lilin që nuk njeh askënd.”

E pyetur se si ka lindur ky personazh, Hysi kujton se para se të niste spektakli mori pjesë në audicione me imitimin e dy zonjave të politikës.

“Nuk e kisha menduar veten në botën e humorit por sipas miqve të mi imitoja shumë mirë Grida Dumën. Shkoj në audicion vetëm me këtë imitim.

U prit mirë dhe e kalova provën. Por personashet e imitimit jetojnë aq sa jetojnë vetë figurat publike. Unë këtë nuk e dija se vija nga teatri dhe jo nga një spektakël humori.

Ndaj duhet të gjeja një personazh tjetër. U sfidova për të imituar një tjetër politikane, Ogerta Manastirliun. Edhe këtë provë e kalova.

Profesor Altin Basha më tha nëse kisha ndonjë personazh të imagjinatës. Në të vërtetë nuk kisha menduar asnjë personazh tjetër. Megjithatë i thashë se kam një karakter, një parukiere që bën thashetheme. Ka qenë e sekondës, e pamenduar, vetëm për të qenë pjesë e “Kosheres”.”

Duket se publiku e ka pritur mjaft mirë rolin e parukieres nga Korça. Aq sa në profilin e Françeskës në Instagram vijnë mesazhe reklamash të parukerive me emrin Lili.

“E bukura është se një nga parukieret në lagjen time, mikeshë e mamasë, pasi  ishte shfaqur personazhi i Lilit për herë të parë më thotë: “Po ti, mua më imiton?”

E thotë me shaka sepse ajo është më e re, nuk ka lidhje me Korçën dhe thashethemet.

 Por në tekst unë them: “Rrugica e dytë, majtas, përballë selisë”. Në fakt unë nuk e dija që te lagjja jonë ishte hapur një seli e PD-së, që ndodhet përballë parukerisë. Kam qeshur shumë.”

Françeska tregon se çfarë do të thotë të punosh me Altin Bashën, regjisorin e spektaklit të humorit.

“Altin Basha është shkollë më vete. Vazhdimisht je e sfiduar, zbulon gjëra nga vetja dhe nga profesioni.

 Është fat i madh që të punosh me një regjisor të tillë. Në Shqipëri, tiparet e regjisorit sa vjen e po zbehen duke qenë se aktorët janë më afër publikut dhe marrin autoritet më shumë se regjisori.

Profesori Altin Basha e di shumë mirë çfarë do kjo punë. Nuk është rastësisht i suksesshëm. Ata që kanë punuar me të kanë rezultuar të suksesshëm në treg.”

Altin Basha shpesh është komentuar si një regjisor mjaft kërkues, i cili ndonjëherë ngre dhe zërin. “Unë jam rasti që profesori e ka ngritur zërin. Ka njerëz që autoritetin e tij e quajnë vrazhdësi. Nuk ka të bëjë me këtë por me kërkesën e llogarisë, me disiplinën dhe cilësinë artistike. Ata që nuk e përballojnë dot autoritetin e quajnë vrazhdësi. As unë nuk ndihem mirë kur më kritikon ose sfidon, por kjo është për të më vënë në lëvizje dhe për t’u përmirësuar.”

Françeska Hysi zbulon se në këtë sezon të “Kosheres” do të prezantohet me disa personazhe, disa prej tyre krejtësisht të rinj.

Për t’i parë ju mbetet të ndiqni spektaklin, të dielën në mbrëmje në RTSH1 HD.

/rtsh.al/