RTSH 24 Live

Ekonomi

Fiskalizimi në shifra - Vëzhgim i RTSH

21/07/2021

Fiskalizimi në shifra - Vëzhgim i RTSH

Procesi i fiskalizimit të pagesave tatimore, ka vijuar me ritme të larta, pavarësisht kundërshtive të biznesit. Nga janari i këtij viti janë mbi shtatë milionë fatura të fiskalizuara. Radio Televizioni Shqiptar ka ndjekur ecurinë javore të këtij procesi, ku shënohen rritje që tregojnë se kjo risi tatimore nuk do të ketë kthim mbrapa.

Ndërsa është duke u realizuar faza e dytë ligjore e procesit të fiskalizimit, që lidhet me nryshimet ligjore për faturën tatimore dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit dhe, po bëhet gati zbatimi i fazës së tretë, që ka të bëjë me transaksionit mes biznesit dhe konsumatorëve, treguesit e shënuar për cdo javë janë befasuese. 

Kjo është tabela që tregon ecurinë e këtoj procesi në javën e fundit. Vini re rritjen: Tatimpagues që kanë lëshuar fatura me para në dorë janë gjithsej 7250. Por vetëm në javën e fundit numri i tyre është rritur me 5.545. Po kështu numri i faturave të lëshuara gjithsej është 7,25 milionë, por vetëm në javën e fundit janë lëshuar mbi 1,4 milionë fatura. Edhe numri i faturave pa parë në dorë që shënon në total rreth 440 mijë të tilla, në javën e fundit është rritur me mbi 130 mijë.
 
Mbledhja më e mirë e tatimeve në shkallë vendi, ku zëri kryesor mbetet Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, vijon të jetë në trendin e rezultateve të arritura në vendet e tjera që zbatojnë këtë sistem. Deri tani, sipas burimeve zyrtare, në mbledhjen e TVSH-së, është regjistruar rritje nga 10-15%, krahasuar me të ardhurat nga TVSH-ja, përpara aplikimit të këtij sistemi. 
Duke përmirësuar dy aspekte kryesore – raportimi i më shumë transaksioneve me para në dorë dhe ulja e transaksioneve të fshehura pa para në dorë, me një kontroll më të mirë të sistemit fiskal, pritet të reduktojë informalitetin në ekonominë shqiptare.
Sipas autoriteteve, duke përdorur sistemin e fiskalizimit, mundësohet kontrolli dhe inspektimi tatimor mbi bazën e riskut, çka do të rezultojë në identifikimin e drejtëpërdrejtë të abuzuesve, duke shmangur kështu inspektimet në bizneset e rregullta. Shifrat e javës së fundit në procesin e fiskalizimit tregojnë se ky proces nuk do të ketë ndalim deri në realizimin e tij të plotë dhe për këtë tashmë duken të bindur jo vetëm autoritetet fiskale, por edhe biznesi.