RTSH 24 Live

Sociale

Firmoset në Romë marrëveshja tripalëshe, Manastirliu: Dritare e re për realizimin e transplantit të organeve në Shqipëri

25/05/2023

Firmoset në Romë marrëveshja tripalëshe, Manastirliu: Dritare e re për realizimin e transplantit të organeve në Shqipëri

Midis Shqipërisë dhe Italisë është krijuar një mundësi e re bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë, ajo e transplatimit të organeve.

Në Romë është firmosur marrëveshja tripalëshe mes Universitetit të Mjekësisë Tiranë, Universitetit Tor Vetgata të Romës dhe Universitetit  "G. D'Annunzio" të Chieti-Pescara .

Gjatë ceremonisë së organizuar me këtë rast në Universitetin Tor Vergata në Romë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu e konsideroi këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm për realizimin e transplanteve në Shqipëri si dhe thellimin e bashkëveprimit në fushën e shëndetësisë me shtetin fqinj. 

“Çelet një dritare e re për bashkëpunimin në fushën e transplanteve të organeve, falë iniciativës që jetësohet sot me firmosjen e marrëveshjes tripalëshe mes Universitetit të Mjekësisë së Tiranës, Universitetit Tor Vergata të Romës dhe Universitetit "G. D'Annunzio" të Chieti-Pescara" tha me këtë rast ministrja Manastirliu. 

Duke dhënë më shumë hollësi ajo tha se marrëveshja do të mundësojë shkëmbimet në fushën akademike dhe klinike, me përgatitjen e protokolleve në fushën e transplantit të veshkës, mëlçisë dhe pankreasit, formimin dhe fuqizimin e burimeve njerëzore, kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit klinik, për të realizuar transplanet e organeve dhe asistencën e nevojshme për hartimin e kuadrit ligjor të nevojshëm për dhurimin. 

Marrëveshja e bashkëpunimit që u firmos mes titullarëve të tre universiteteve do të çojë në një nivel të ri bashkëpunimin në fushën e mjekësisë mes Shqipërisë dhe Italisë.

 

/ rtsh.al /