RTSH 24 Live

Kulturë

Finiq, përgatitje për sezonin turistik

30/03/2021

Finiq, përgatitje për sezonin turistik

Pavarësisht vështirësive që solli pandemia, Finiqi ka pritur turistë  të cilët kanë vlerësuar trashëgiminë kulturore dhe bukuritë natyrore të kësaj zone. Për zhvillimin e këtij sektori është duke u zbatuar një plan 2-vjeçar nga bashkia ku në udhëtimet e tyre synohet kombinimi i pushimeve në det dhe mal. Kjo në bashkëpunim me agjencitë turistike që funksionojnë në Sarandë, bën të ditur Thoma Nikuli, kreu i Drejtorisë së Zhvillimit të identitetit Etnik, Kulturës, Arsimit dhe Turizmit.

“Bashkia e Finiqit dhe Drejtoria e Zhvillimit të Identitetit Etnik, Kulturës Arsimit dhe Turizmit ka përgatitur një plan veprimi 2 vjeçar i cili parashikon zhvillimin e turizmit në këtë zonë. Është pasuria e madhe kulturore. Kemi të kategorizuara rreth 60 monumente kulture dhe mbi 6 monumente të natyrës. Ka vështirësi. Mungojnë shumë gjëra, si infrastruktura rrugore. Ajo pritëse ekziston. Janë shtëpitë e vjetra, por edhe ato të reja të ndërtuara së fundi në fshatrat Krane, Finiq. Mund të ofrojmë një tur turistik nga Bashkia Finiq- Dhivër-Malçan- Leshnicë-Dhrovjan. Apo duke bashkëvepruar me bashkinë fqinje të Dropullit. Zonën e Leshnicës dhe të Dhrovjanit e kemi promovuar jo vetëm me fletëpalosje, por duke i çuar turistët në grupe te vogla deri në 8 veta. Zona u ka pëlqyer jashtë mase, monumentet e kulturës, mikpritja e fshatarëve që kanë mbetur dhe kulinaria e tyre, gjithmonë e bazuar në produktet bio që vetë ata kultivojnë.Përpiqemi të ndërveprojmë me agjencitë turistike në Sarandë për të kombinuar në  pushimet e turistëve detin me malin. Shpresojmë të bashkëveprojmë. Pandemia e Covid-19 na ka frenuar pak, megjithatë ne s’kemi pushuar. Edhe gjatë këtij viti ne kemi çuar në fshatrat tona, Leshnicë e Dhrovjan, mbi 10 herë turistë në grupe të vogla. Kanë vizituar, kanë fjetur, janë ushqyer.”

Bashkia Finiq shtrihet në një territor malor të Shqipërisë, ku bien në pah vargjet e rajonit malor jugor, si Malet e Shtugarës rreth 2000 metra mbi det. Zonat masive pyjore të Dhrovjanit, Malinës, etj, përbëjnë potencial për zhvillimin e turizmit malor.Kjo zonë është e pasur me objekte kulturore, disa prej të cilave janë shpallur edhe monumente kulturore si manastiret e Shën Kollit, të Mesopotamisë dhe Shën Marisë, të cilat përbëjnë edhe një tërheqje të veçantë për komunitetin turistik, sidomos atë të huaj. Në këtë territor përfshihet edhe një prej parqeve kryesorë arkeologjikë, parku i Finiqit.