RTSH 24 Live

Sociale

Finiq, bashkia ndërhyn në kohë për zhbllokimin e aksit Gjirokastër-Sarandë

13/01/2021

Finiq, bashkia ndërhyn në kohë për zhbllokimin e aksit Gjirokastër-Sarandë

 Me problematika të ndryshme u përball edhe bashkia e Finiqit gjatë ditëve me reshje, për të cilat ka ndërhyrë në kohë duke rikthyer normalitetin. Më shqetësuese ishte bllokimi i rrugës Sarandë – Gjirokastër si shkak i daljes nga shtrati i ujit në kanalin e Bistricës dhe shkarjeve të dherave në aksin Bistricë-Muzinë, bën të ditur kryetari i bashkisë Kristaq Kiço. Aktualisht punohet në fshatra ku janë shënuar raste të shkarjes së dherave.

“U krijua një problem me bllokimin e rrugës nacionale Sarandë - Gjirokastër, në zonën ndërmjet Kranesë dhe Mesopotamit, si pasojë e tejfryrjes së Kanalit të Bistricës dhe në aksin Bistricë- Muzinë  ku për shkak të shkarjeve të dherave ishte bllokuar rruga.Ne kemi ndërhyrë menjëherë me forca dhe mjete dhe kemi hapur në një kohë të shkurtër të dyja këto pika të rëndësishme, duke i kthyer normalitetin lëvizjes në aksin Sarandë - Gjirokastër. Gjithashtu kemi pasur edhe problem në zonën industriale të Vrionit, ku me angazhimin e strukturave të bashkisë u bë i mundur minimizimi i problematikave. Jemi në ndjekje të situatës dhe besojmë se do t’i tejkalojmë edhe disa problematika të tjera që janë krijuar në fshatra nga reshkitjet e dherave. Strukturat e shërbimeve të bashkisë janë duke punuar për riparimin e këtyre problematikave.”- thotë kryetari i bashkisë Finiq, Kristaq Kiço.

Më pak të prekuara nga problematikat e reshjeve ishin tokat bujqësore në këtë bashki, pasi Drejtoria e Bujqësisë dhe Bordi i Kullimit kanë punuar sistematikisht gjatë gjithe kohes për të pastruar kanalet  kulluese çka ka ndikuar pozitivisht  në menaxhimin e situatës në këto momente të vështira.