RTSH 24 Live

Aktualitet

Finalja e Conference League, Rama: Dikur kalbësirë urbane, sot Air Albania krenari kombëtare

25/05/2022

Finalja e Conference League, Rama: Dikur kalbësirë urbane, sot Air Albania krenari kombëtare

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetin social Facebok pamjet nga transformimi i ish-stadiumit ‘ Qemal Stafa’ në atë që është sot Stadiumi Air Albania. Kryeministri shkruan se ajo që ishte kalbësira urbane në zemër të Tiranës, është shndërruar në një nga stadiumet më të bukur të Europës, në të cilin do të mbahet sot finalja e Conference League me përballjen Roma-Feyenoord.

Kreu i qeverisë premton se ashtu sikundër stadiumi Air Albania, edhe Teatri i ri Kombëtar, do të jetë një krenari kombëtare në Europë.

“Mirëmëngjes dhe me shpresën se ka akoma nga ju që e kujtojnë kur ju thosha se do të bëjmë një nga stadiumet më të bukur të Europës, aty ku deri para pak vitesh kishte mbetur një kalbësirë urbane në zemër të kryeqytetit, duke ju siguruar se siç u bë stadiumi i finales së sotme europiane një krenari kombëtare në Europë, do të bëhet së shpejti edhe Teatri i Ri Kombëtar, ju uroj të gjithëve ta kaloni bukur këtë ditë të shënuar sportive për të tërë Europën këtu në Tiranë”, shkruan Rama.

/rtsh.al/