RTSH 24 Live

Kronika

Finalizohet operacioni në Shqipëri, arrestohen 4 persona të përfshirë në skemë mashtrimi me vlera të mëdha

22/07/2021

Finalizohet operacioni në Shqipëri, arrestohen 4 persona të përfshirë në skemë mashtrimi me vlera të mëdha

Katër persona, shqiptarë e të huaj, ranë në prangat e policisë ndërsa 8 të tjerë janë në kërkim. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata kishin krijuar një skemë mashtrimi, përmes së cilës, krijonin biznese fiktive dhe mashtronin qytetarët me pagesat online.
Policia e Shtetit dhe Prokuroria thanë se hetimi kishte nisur prej më shumë se një viti, ku vlera e këtij mashtrimi deri tani është faktuar se është 4 milion euro.
Së bashku me shtetas të tjerë kanë kontrolluar komunikimet e postës elektronike midis klientëve dhe subjekteve tregtare. Pasi kanë ndërhyrë në sistemin kompjuterik ata kanë qëndruar të “fjetur” derisa kanë parë kërkesa specifike në lidhje me fonde ose pagesa të ndryshme. Në këtë moment, këta shtetas kanë bërë lëvizjet e tyre. Ata kanë kontaktuar klientin, duke marrë rolin e subjektit pritës të fondeve, duke i informuar ata se detajet bankare të kompanisë kanë ndryshuar dhe duke kërkuar që ata të transferojnë fondet në llogarinë e re. Ata duke qenë në brendësi të komunikimeve kanë qenë në gjendje të prodhojnë një mesazh të postës elektronike me pamje me pamje të njëjtë me të vërtetin.

Sipas Policisë, që kjo skemë të funksiononte, personat e përfshirë kishin hapur subjekte tregtare fiktive dhe në shumë raste me dokumente të falsifikuara të krijuara nëpërmjet pajisjeve elektronike, por dhe llogari bankare me dokumente të falsifikuara si administratorë subjektesh. 

Pasi vlerat monetare transferoheshin në llogaritë që këta shtetas kishin çelur ato tërhiqeshin dhe dërgoheshin në shtete të tjera.

Personat e përfshirë janë nga Tirana, Kameruni e Nigeria, ndërsa kjo goditje e kësaj skeme kriminale realizohet për herë të parë në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Subjektet që janë verifikuar deri më tani si subjekte tregtare fiktive dhe të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe që më pas në emër të tyre janë hapur numra llogarish bankare janë 17 në total ndërsa deri tani janë evidentuar subjekte që kanë rënë pre e këtij mashtrimi nga SHBA, Gjermania, Anglia, turqia, Belgjika, Zvicera, Finlanda, Lituania dhe Filipinet .