RTSH 24 Live

Teknologji

Fillon ndërtimi i radarit me rreze më të gjerë në botë, për të mbrojtur më mirë Tokën

13/07/2022

Fillon ndërtimi i radarit me rreze më të gjerë në botë, për të mbrojtur më mirë Tokën

Kina ka filluar ndërtimin e një sistemi të ri radari me pajisje vëzhgimi aktiv në hapësirën e thellë me qartësi të lartë, për të mbrojtur më mirë Tokën,  njofton Radio e Jashtm e Kinës. Sistemi i ri do të rrisë gjithashtu aftësitë mbrojtëse të vendit kundër asteroidëve afër Tokës, si dhe aftësinë gjurmuese për sistemin Tokë-Hënë.

Objekti i ri i vrojtimit, që ndodhet në Chongqing të Kinës Jugperëndimore, është i koduar "Fuyan", që do të thotë "Syri kompleks".
Sipas Long Teng, drejtor i Institutit të Teknologjisë së Pekinit, ekipi hulumtues i vuri këtë emër, sepse sistemi i radarit përbëhet nga antena të shumta, ashtu si sytë kompleksë të insekteve.

"Fuyan" do të përbëhet nga radarë të shpërndarë me mbi 20 antena, secila me një diametër 25 deri në 30 metra. Ai pritet të kryejë vëzhgim me qartësi të lartë të asteroidëve brenda 150 milionë kilometrave larg Tokës, duke u bërë sistemi me rreze më të gjerë i radarëve në botë.

Ndryshe nga radioteleskopi sferik me diametër 500 metra (FAST) i Kinës, gjithashtu më i madhi i këtij lloji në botë, i projektuar për të mbledhur vrojtime pasive të radiosinjaleve nga hapësira, sipas ekspertëve, "Fuyan"-i do të dërgojë në mënyrë aktive radiosinjale te trupat qiellorë për të marrë të dhëna të reja vëzhgimi.