RTSH 24 Live

Rajon

Filipçe: Vaksina “AstraZeneca” nuk do t’u jepet personave më të rinj se 60 vjeç

09/04/2021

Filipçe: Vaksina “AstraZeneca” nuk do t’u jepet personave më të rinj se 60 vjeç

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko FIlipçe, theksoi se vaksina “AstraZeneca” kundër koronavirusit (COVID-19) në vend nuk do t’u jepet personave më të rinj se 60 vjeç.

Ministri Filipçe, pas vizitës së qendrës sportive “A1 Arena”, ku është duke u kryer imunizimi masiv, dha deklaratë për mediat në të cilën u përqendrua në procesin e vaksinimit në vend.

Filipçe, duke theksuar se sot është duke u vaksinuar një pjesë e punonjësve shëndetësorë dhe mësimdhënësve prej klasës së parë deri të tretën, tha se procesi i vaksinimit në “A1 Arenën” po zhvillohet shkëlqyeshëm dhe se gjatë këtij muaji në vend duhet të mbërrijnë rreth 300.000 vaksina, prej të cilave pjesa më e madhe nga Kina.

Duke iu referuar vaksinës "AstraZeneca", ministri Filipçe tha se Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) ka lënë që çdo vend të marrë qëndrim se kë do të vaksinojë, por në udhëzimet duhet të theksohen efektet anësore.

"Pas vlerësimit të të gjitha atyre efekteve anësore në formën e gjendjeve trombotike, veçanërisht tek të rinjtë, bordi doli me dy rekomandime. E para është që ato efekte anësore trombotike duhet të përfshihen në udhëzimin e vaksinës, dhe e dyta është që secili vend duhet të marrë një qëndrim se si do të përdoret vaksina. Prandaj, pas konsultave në mëngjes, miratuam një qëndrim që vaksina "AstraZeneca" të mos u jepet personave nën 60 vjeç në vendin tonë", tha Filipçe.

Lidhur me vendet e lira në spitale, ministri Filipçe tha se ka shtretër të mjaftueshëm në Shkup dhe në mbarë shtetin dhe se dje gjatë ditës është ndjerë rrafshim i vogël i situatës.

"Ka shumë të ngjarë që maja të jetë prapa nesh. Por këtë do ta themi diku në fillim të javës tjetër", tha Filipçe./AA