RTSH 24 Live

Kulturë

Festivali ‘Sunny Hill’ qëndron në shtëpinë e vet në Prishtinë! Në Tiranë, edicion special në fund të gushtit

20/06/2022

Festivali ‘Sunny Hill’ qëndron në shtëpinë e vet në Prishtinë! Në Tiranë, edicion special në fund të gushtit

Pas zhurmës së madhe që shkaktoi në Shqipëri dhe Kosovë se ku do të zhvillohet festivali “Sunny Hill” e organizuar nga këngëtarja Dua Lipa dhe babai i saj Dukagjin Lipa, duket se është gjetur dhe zgjidhja përfundimtare. Festivali ‘Sunny Hill’ do të qëndrojë në shtëpinë e vet në Prishtinë. Ndërsa në Tiranë ‘Sunny Hill’ do të zhvillojë një edicion special në fund të gushtit. Qëllimi i këtij festivali ka qenë pikërisht promovimi i Kosovës në sytë e botës.

Lajmi u bë i ditur gjatë një deklarate të përbashkët e Ministrisë së Kulturës së Kosovës, organizatorët e festivalit dhe nga Komina e Prishtinës. Sunny Hill Festival mbahet në Prishtinë, më 4, 5, 6 dhe 7 gusht 2022, ndërsa në Tiranë më 26, 27 dhe 28 gusht. 

Ministria e Kulturës sqaron edhe çështjen e tokës për shfrytëzim afatgjatë nga ky festival duke thënë se është ende në diskutim në mënyrë që ajo të ketë një vendndodhje të vetin në periudhë afatgjatë. Çështja e tokës ishte pikërisht pakënaqësia që Dukagjin Lipa ngriti duke thënë se nuk po merr përgjigje nga qeveria e Kosovës prej 3 vitesh dhe kjo e detyroi që festivali të ‘hidhte sytë’ nga Tirana.

“Qeveria e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Sunny Hill Festival bashkojnë forcat për një edicion të mrekullueshëm të festivalit sivjet, aty ku e ka vendin, në Prishtinë. Sunny Hill Festival mbahet në Prishtinë, më 4, 5, 6 dhe 7 gusht 2022. Institucionet qendrore dhe lokale bashkërisht, sipas mandatit që kanë do të ofrojnë mbështetje të plotë për edicionin e sivjetmë, i cili do të mbahet në një lokacion të përshtatshëm.  Të gjithë shprehin gatishmërinë që çështja e shfrytëzimit afatgjatë të tokës të diskutohet edhe pak kohë deri në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme. Synimi i përbashkët është që nga viti i ardhshëm, festivali Sunny Hill të organizohet në lokacionin e vet afatgjatë. Në frymën e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë, një edicion i veçantë me një line-up tjetër do të mbahet në fund të muajit gusht në Tiranë më 26, 27 dhe 28 gusht”, thuhet në deklaratë.

Duket se kjo verë do të jetë e nxehtë për shqiptarët në Prishtinë dhe Tiranë, ku për 3 netë radhazi do të ngjiten në skenën e “Sunny Hill” emrat më të njohur të muzikës botërore si Diplo, Skepta, DJ Regard, AJ Tracey, Mahmood dhe artistët më të njohur shqiptarë. Në këtë edicion pritet të zbulohen edhe dy artistë shumë të mëdhenj botëror.

Edhe kryebashkiaku Erion Veliaj përshëndeti lajmin për zhvillimin e festivalit në dy kryeqytetet shqiptare.

“Sunny Hill Festival - Edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë! A jeni gati për një super verë elektrizuese në të dyja kryeqytetet shqiptare? Jam shumë i lumtur që edicioni special i këtij viti i “Sunny Hill Festival”, do të mbahet në Prishtinë në datat 4, 5, 6 dhe 7 gusht, kurse në Tiranë në datat 26, 27 dhe 28 gusht. Një super lajm për të gjithë”, shkruan Veliaj.

/rtsh.al/