RTSH 24 Live

Kulturë

Festivali “Moisiu”, festë e Teatrit Shqiptar, mbahet në Tiranë më 20–27 nëntor

18/11/2023

Festivali “Moisiu”, festë e Teatrit Shqiptar, mbahet në Tiranë më 20–27 nëntor

Festivali i Teatrit Shqiptar “Moisiu” do të mbahet në datat 20-27 nëntor në Tiranë.

Ky ballafaqim veprash, ku dominojnë ato të gjuhës shqipe, edhe si mënyrë për ta promovuar sa më shumë, ka nisur vitin e kaluar me iniciativën e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit Shqiptar të Shkupit.

Në fjalën e tyre, drejtuesit e teatrove tona, Adem Karaga (Teatri Shqiptar i Shkupit), Altin Basha (Teatri Kombëtar i Shqipërisë) dhe Kushtrim Sheremeta (Teatri Kombëtar i Kosovës) theksuan rëndësinë e këtij festivali për zgjerimin e bashkëpunimit të vendeve tona në fushën e teatrit, ekipeve të brezave, atyre më të rinj dhe më me përvojë, shijeve estetike, takimeve dhe debateve me fokus përmirësimin. 

Shfaqjet e festivalit do të kenë hyrje të lirë për spektatorët, për t’u dhënë mundësinë secilit të ndjekin nga afër punën e regjisorëve, aktorëve, skenografëve, kostumografëve, kompozitorëve. 

Gjatë takimit të parë në vigjilje të këtij festivali u shpallën edhe anëtarët e jurisë. Vendi pritës, Shqipëria ka një anëtare jurie, aktoren Yllka Mujo, ndërsa miqtë, nga dy anëtarë.

Teatri Shqiptar i Shkupit ka angazhuar aktorin Dritëro Ame dhe gazetaren e publicisten Diana Toska, ndërsa Teatri Kombëtar i Kosovës, aktorët Armond Morina dhe Shengyl Ismaili.

Edicioni i dytë i “Moisiu-t” do të mbyllet me bashkëprodhimin e tri teatrove, “Shtëpia e Zotit” me autor Ledian Gjeçi dhe regji nga Ilir Bokshi. Kjo shfaqje është jashtë garës. 

Festivali është mbajtur në Shkup vitin e kaluar, këtë vit në Tiranë dhe vitin e ardhshëm, në Prishtinë.

Çmimet që do të ndahen në festival janë si më poshtë: 

  • Shfaqja më e mirë
  • Regjia më e mirë
  • Aktori më i mirë
  • Aktorja më e mirë
  • Aktori i dytë më i mirë
  • Aktorja e dytë më e mirë
  • Aktori i ri ose aktorja e re më e mirë
  • Skenografia më e mirë
  • Kostumografia më e mirë
  • Kompozitori ose kompozitorja më e mirë
  • Çmimi i dramës shqipe
  • Çmimi i karrierës

/rtsh.al/