RTSH 24 Live

Sociale

Festa e maturantëve, të rinjtë në Devollit vijojnë traditën e festimit në shesh

08/07/2024

Festa e maturantëve, të rinjtë në Devollit vijojnë traditën e festimit në shesh

Maturantët e Devollit vijojnë traditën e festimit të ngjarjes më të madhe të formimit të tyre arsimor, me paradën dhe performancën e tyre në pedonalen e qytetit të Bilishtit. Ndryshe nga shumë maturantë të tjerë që preferojnë restorantet dhe lokalet, në këtë zonë të juglindjes, prej vitesh është kthyer në traditë “Festa e Maturantëve” e cila organizohet nën kujdesin e veçantë të Bashkisë Devoll.

Kryebashkiaku Eduard Duro teksa ka uruar të gjithë maturantët është shprehur se tashmë kjo festë është kthyer në një traditë të përvitshme.

“Është një vendim i përvitshëm i bashkisë Devoll, i cili kurorëzon përpjekjet 12 vjeçare të të gjithë të rinjve”, tha Eduard Duro, Kryetar i Bashkisë Devoll

Pjesë e kësaj ceremonie kanë qenë rreth 150 maturantë të shkollave të mesme të bashkisë së Devollit, teksa festës i janë bashkuar edhe mijëra banorë të zonës të cilët kanë mbushur pedonalen e qytetit të Bilishtit, duke shijuar edhe koncertin e organizuar me këtë rast.

/RTSH/