RTSH 24 Live

Muzikë

Fest 63, artistët pjesëmarrës bashkohen në prova me Orkestrën e RTSH

05/12/2024

Fest 63, artistët pjesëmarrës bashkohen në prova me Orkestrën e RTSH

Jemi vetëm dy javë larg nga nisja e festivalit më të rëndësishëm të muzikës së lehtë në Radio Televizionin Shqiptar. Provat dhe përgatitjet po zhvillohen intensivisht.

30 artistët pjesëmarrës në Fest 63 janë bashkuar në prova së bashku me Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar dhe bandës muzikore, ndërsa pas datës 10 dhjetor i gjithë formacioni do të zhvendoset në Pallatin e Kongreseve për provat finale. Ata që kanë më shumë emocione janë këngëtarët të cilët konkurrojnë për herë të parë në Festivalin e Këngës në RTSH. 

Drejtoresha artistike e festivalit, Elhaida Dani, producentët muzikorë të mirënjohurit, Alfred Kaçinari dhe Shpëtim Saraçi si dhe drejtuesit artistik i bendit muzikor kantautori i njohur Elton Deda, janë aty për të sjellë jo vetëm eksperiencën dhe kreativitetin e tyre por për të siguruar një nivel të lartë artistik në festival. 

Në listën e artistëve spikasin këngëtarë të njohur të muzikës shqiptare, rikthime të artistëve që kanë bërë historinë e muzikës moderne dhe të rinj që e shohin skenën e këtij Festivali prestigjioz si një skenë të rëndësishme për karrierën e tyre artistike. Ky edicion do të kombinojë talentin e artistëve të mëdhenj dhe zërat e rinj.

Nga 30 artistë konkurrues në Fest 63, 16 prej tyre do të ngjiten për herë të parë në skenën e festivalit.

"Vijmë me një këngë tonën që quhet 'Zjerm'. Është në stilin tonë. Është një përzierje e muzikës elektronike me muzikën tradicionale shqiptare dhe me muzikën orkestrale të Festivalit. Kënga është e shkruar nga Beatriçja. Ndihemi shumë mirë," tha artisti Kol Laca.

"Kënga që kemi shkruar është një këngë që e kemi menduar për Festivalin. Vitin që do të vijë do të publikojmë një album. Për albumin nuk gjetëm një këngë adapte për Festivalin dhe e shkruajtëm dhe na kanë zgjedhur," shtoi Beatriçe Gjergji.

Fest 63 do të vijë në datat 19, 20, 21 dhe 22 dhjetor. Këtë vit, festivali do të ndahet në katër netë të strukturuara për të krijuar një përvojë unike për publikun. Në natën e parë dhe të dytë do të prezantohet këngët konkurruese për publikun dhe jurinë.

Nata e tretë, është konceptuar si “Nata e Nostalgjisë” dhe do të kujtojë vlerat e historisë së pasur të festivalit, duke risjellë këngët ikonike të ndër viteve dhe duke i dedikuar për autorët dhe poetët që kanë kontribuar ndër vite në festival.

Nata finale, më 22 dhjetor, do të shpallë fituesin që do të përfaqësojë Shqipërinë në skenën e madhe të Eurovision Song Contest 2025.

Gazetare: Xhilda Kondi

/rtsh.al/