Në fshatin Sheqeras të Maliqit, fermerët po përballen me vështirësi, pasi prodhimi i tyre ka ngelur stok dhe nuk ka treg për ta shitur.
Çmimet e ulëta dhe mungesa e tregut po detyrojnë fermerët të hedhin produktet në lumenj apo t’i magazinojnë, duke i lënë ata në pamundësi për të përballuar kostot e bujqësisë.
Fatmir Braçe, një prej fermerëve të këtij fshati, tregon se këtë vit ka hedhur qepën në lumin e Devollit për shkak të pamundësisë për ta shitur atë.
"Qepa mbeti. Kam shitur vetëm 7 kuintalë, që në tokë kam edhe 200 kuintalë. Edhe me 100 lekë nuk vijnë ta marrin," tregon z. Braçe.
Po ashtu, Avni Maliqari, një tjetër fermer i kësaj zone, tregon se ka dy vjet që po magazinon grurë dhe nuk ka mundësi ta shesë për shkak të mungesës së kërkesës.
"Kam hequr deri tani 450 kuintalë. Kam edhe 150 kuintalë. Grurë dhe misër unë kam shitur nën kosto. Me 230 lekë nuk më del as qiraja," thotë fermeri.
Kjo është një situatë e përsëritur, ku fermerët e juglindjes së vendit nuk shesin dot produktet e tyre, ndërsa ende nuk është gjetur një zgjidhje për ta.
Gazetare: L. Fili
/rtsh.al/