Byroja Federale e Hetimeve (FBI) e Shteteve të Bashkuara ka akuzuar hakerat e lidhur me Korenë e Veriut për kryerjen e njërës prej vjedhjeve më të mëdha të kriptovalutave që dihen publikisht, duke siguruar kriptovaluta “Ethereum” në vlerë të rreth 1.5 miliard dollarëve. Vjedhja ka ndodhur nga kompania e njohur e kriptovalutave “Bybit”, me seli në Dubai.
FBI ka identifikuar hakerët si pjesë të grupeve të njohura “TraderTraitor” dhe “Lazarus Group”. Sipas njoftimit të FBI-së, ata kanë arritur të shndërrojnë asetet e vjedhura në “Bitcoin” dhe valuta të tjera virtuale, duke i shpërndarë në mijëra adresa. Ky rast është një tjetër shembull i aktiviteteve të hakerëve të mbështetur nga Koreja e Veriut, të cilët janë përfshirë në vjedhje të ngjashme gjatë viteve të fundit. Mediat shtetërore të Koresë së Veriut nuk kanë reaguar ndaj akuzave, dhe misioni diplomatik i Penjanit në Kombet e Bashkuara nuk ka dhënë asnjë koment.
Sipas raportimeve nga Koreja e Jugut, Pheniani ka vjedhur mbi 1.2 miliard dollarë në kriptovaluta që nga viti 2018. Ky aktivitet duket se është një burim i rëndësishëm për financimin e ekonomisë së brishtë të Koresë së Veriut dhe programit të saj bërthamor. Po ashtu, një panel ekspertësh i OKB-së ka raportuar për 58 sulme kibernetike të dyshimta nga Koreja e Veriut, që nga 2017, duke vjedhur rreth 3 miliardë dollarë për të mbështetur zhvillimin e armëve bërthamore.
/rtsh.al/