RTSH 24 Live

Aktualitet

Farkë, inaugurohet AgroPark Tirana, tregu i ri agroushqimor 

18/03/2023

Farkë, inaugurohet AgroPark Tirana, tregu i ri agroushqimor 

AgroPark Tirana, është tregun e ri agroushqimor i ngritur në Farkë, pak kilometra larg kryeqytetit.

Ai është ndërtuar posaçërisht për fermerët, të cilët mund të shesin produktet e tyre me zero taksa, ndërsa konsumatorët do t’i blejnë më lirë prodhimet bio, të kontrolluara dhe të certifikuara sipas standardeve europiane.

Ministrja e bujqësis Frida Krifca tha me rastin e inaugurimit se ky treg "... është një koncept deri diku risi në Shqipëri. Ai sjell  ndërveprim midis fermerëve, tregtuesve dhe konsumatorit". “Nëpërmjet këtij bashkëveprimi do të rritet fitimi për fermerët dhe kursimi për konsumatorët. Do të mund të përmirësojmë sigurinë ushqimore duke minimizuar risqet" shtoi më tej ajo. 

Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ky investim u vjen në ndihmë fermerëve dhe zonave rurale. “Ky ishte premtimi i fundit i pambajtur dhe më vjen mirë që pranvera na gjen me një projekt, ndoshta më i miri dhe më i arrituri në rajonin tonë" tha zoti Veliaj. Ai tha se tregu i ri do u kursejë tregtarëve 70% të kostove, që më parë paguanin te privati, e po ashtu do u ofrojë qytetarëve produkte bio më të lira.

Zoti Veliaj njoftoi edhe një sistem transparence për produktet që do të shiten në këtë treg. “Siç ekziston bursa jashtë, për shumë prej produkteve duhet të kemi edhe një minibursë këtu. Do të kemi një tabelë të çmimeve, ku njerëzit dinë sipas kërkesës dhe ofertës, ku rrahin çmimet. Ky sistem transparence sigurisht që e bën më kompetitiv tregun, informon njerëzit jo vetëm për çmimin, por edhe për origjinën nga ka ardhur. Tradita e mirë që kemi filluar, duke marketuar disa produkte, siç është domatja e vonë e Shëngjergjit, gjeli i Baldushkut apo ulliri i Ndroqit, është diçka fantastike. E vlerësoj vërtet si gjest patriotik solidaritetin që kemi për të qarkulluar paratë brenda ekonomisë së qytetit tonë”, deklaroi ai.

Ndërkaq, Veliaj tha se e gjithë Farka është transformuar me Parkun e Liqenit e me të tjera investime, ku është punuar njëlloj, si në qendër edhe në periferi. “Parku i ri i Farkës do jetë ndoshta konkurruesi më i fortë i Parkut të Liqenit të Tiranës, me një sipërfaqe më të madhe, një investim i bërë që në fillim. Kush e mendonte më parë se në Farkë do të bënim finalet e Kupës së Republikës së Shqipërisë në basketboll dhe në volejboll”, theksoi Veliaj.

 

/ rtsh.al /