RTSH 24 Live

Ekonomi

FAO: Shqipëria e para në rajon për prodhimin e perimeve

17/04/2021

FAO: Shqipëria e para në rajon për prodhimin e perimeve
 

 

Shqipëria është renditur e para në rajon, përfshirë edhe Kroacinë për prodhimin e perimeve duke lënë pas Bosnje Hercegovinën, Serbinë e Maqedoninë e Veriut, shkruan ATSH.

Në bazë të raportit të publikuar nga FAOSTAT, Shqipëria rezulton e para në rajon përfshirë Kroacinë për prodhimin e kastravecit, domates e shalqirit, ndërsa renditet e dyta sa i përket prodhimit të frutave.

Shqipëria sipas FAO-s, ka prodhuar në total 942.2 mijë ton perime. Sasia më e madhe e prodhimeve bujqësore dominohet nga domatja që për vitin e kaluar fermerët prodhuan mbi 299 mijë ton, teksa nuk mbetet pas prodhimi i produkteve të tjera si bostanorët.

Në rajon vendin e pare për prodhimin e frutave e kryeson Serbia me 1.8 milionë ton fruta të prodhuara një vit më parë, e në listë pas saj sipas FAO vjen vendi ynë me 810.7 mije ton.

Sektori i bujqësisë ka një ndikim jo të vogël në ekonominë e vendit. Pesha e saj u rrit ndjeshëm veçanërisht gjatë vitit të shkuar në 19.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, kjo edhe si rrjedhojë e rënies së fortë që pësuan sektorët e tjerë shërbimet e tregtia për shkak të pandemisë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë periudhës janar-shkurt shitjet e produkteve bujqësore shënuan një rritje me 23% në raport me vitin 2020, ndërsa zgjerimin më të madh të eksporteve e shënuan zarzavatet, fruta perimet si dhe bimët mjekësore.

Drejtoresha e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) Frida Krifca deklaroi se asgjë nuk është e rastësishme.

“Ky është reflektim i punës dhe përpjekjeve të jashtëzakonshme dhe besimit se thesari ynë është në tokën tonë. Më shumë përpjekje, punë e përbashkët, akses në financim dhe mbështetje do të ketë, sepse prej fundvitit 2018 kur akredituam programin IPARD, drejtimi EUROPIAN për zhvillimin e bujqësisë është bërë realitet me më shumë se 290 investime të mëdha në dy vitet e fundit në sera, ferma me teknologji moderne, mekanike bujqësore me agregate të specializuar dhe fabrika agropërpunimi me standarde të Bashkimit Europian”, tha Krifca.