RTSH 24 Live

Kronika e zeze

Familjarët e viktimave të “9 Janarit”: Duam drejtësi, kriminelët e veshur me pushtet pengojnë zbardhjen e tragjedisë

09/01/2023

Familjarët e viktimave të “9 Janarit”: Duam drejtësi, kriminelët e veshur me pushtet pengojnë zbardhjen e tragjedisë

Familjarët e viktimave të 9 janarit teksa kanë përkujtuar sot tragjedinë e vitit 2004 ku humbën jetën 28 shqiptarë në detin Jon, vijojnë të kërkojnë drejtësi.

Sipas tyre, përgjegjësit e kësaj tragjedie nuk janë vendosur para drejtësisë.

Sindikata e Shoqatës “9 janari” që përbëhet nga familjarë të viktimave thekson se kriminelët e veshur me pushtet e pengojnë zbardhjen e plotë të kësaj tragjedie.

Ka 19 vjet që ne kërkojmë vetëm drejtësi. Shteti nuk na ka dhënë drejtësi se aq sa punojmë ne për zbardhjen e kësaj tragjedie, janë ata kriminelë të veshur me pushtet që bëjnë punën e vet që çështja mos të zbardhet e ata mos të përfundojnë në burg. Njerëz të veshur me pushtet, deri tek deputetët e ministra përfundojnë në burg nëse ajo zbardhet. Ne jemi të vendosur të mos heqim dorë nga kjo çështje pasi është bërë një padrejtësi. Ata djem njoftuan shtetin, televizionin, popullin: Jemi këtu, hajdeni na shpëtoni, po vdesim. Ata që i kishin çuar atje, prisnin të fundosej gomonia që mos të mbanin përgjegjësi. Kjo ka qenë e bërë përmes shtetit, oficerat e policisë së shtetit që nga Shkodra deri në Vlorë kanë qenë të lidhur me trafikun e qenieve njerëzore” tha një prej familjarëve. 

28 shqiptarë u mbytën në ujërat e detit Jon  në vitin 2004. Ata ishin banorë, kryesisht të qarkut Shkodër dhe të moshës nga 15 deri në 33 vjeç. Ata paguan 1 mijë e 500 euro skafistëve me shpresën për të kaluar në bregun tjetër.  

Dallgët, rreth pesë metra të larta, paralajmëruan se nuk ishte koha e duhur për të udhëtuar, por për trafikantët kjo ishte mundësia e artë për t’i shpëtuar mbikqyrjes së dy policive, asaj shqiptare dhe asaj italiane.

18 burra e tri gra u gjendën të pajetë në agimin e 10 Janarit nga një helikopter i NATO-s së ushtrisë italiane. 7 rezultuan të zhdukur. 11 të tjerët mundën të shpëtonin, mes tyre edhe skafistët. Ndërsa deri më tani tragjedia nuk është zbardhur plotësisht. /rtsh.al/