RTSH 24 Live

Kronika e zeze

Familja Gushi përcillet mes dhimbjes për në banesën e fundit

26/06/2021

Familja Gushi përcillet mes dhimbjes për në banesën e fundit

Qyteti i Patosit është në zi. Mes lotëve dhe dhimbjes së madhe banorët e tij u dhanë lamtumirën e fundit katër anëtarëve të familjes Gushi, të cilët humbën jetën të premten në një aksident tragjik në autostradën Levan-Vlorë.
Eduart Gushi, 44 vjeç, gruaja e tij Silvana Gushi, 33 vjeçe, dhe dy vajzat e tyre të mitura, Anastasia dhe Eva, humbën jetën pasi makina e tyre u godit nga pas nga një automjet i cili po ecte tej normave të lejuara, ndërsa ata po udhëtonin në drejtim të Vlorës. Arkëmortet e çiftit Gushi dhe dy vajzat e tyre u përcollën drejt varrezave të Patosit, ku do të prehen. Familja Gushi kishte vite që jetonte në Greqi në emigracion, ndërsa gjendej në Shqipëri për pushime.
Ngjarja ka drithëruar zemrat e mbarë opinionit në Shqipëri, pasi u mësua se autori i aksidentit ishte një 22 vjeçar, djali i një biznesmeni të njohur i cili kishte disa dënime për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor. Shumë prej tyre bëjnë përgjegjëse policinë e cila thonë se gjithnjë e më shumë bie pre e arrogancës së njerëzve të pasur.
Në Shqipëri, në vitin 2019 humbën jetën 227 persona. Në raport me popullsinë, vendi shënoi 80 fatalitete nga aksidentet rrugore për 1 milionë banorë.
Kjo shifër e rendit Shqipërinë ndër vendet me vdekjet më të larta nga aksidentet rrugore në raport me popullsisë dhe gati 60% më të larta sesa mesatarja europiane, sipas të dhënave të tjera të Eurostat.