RTSH 24 Live

Kronika

Falsifikoi dokumentet e pronës në Ksamil, burg për 69-vjeçarin, sekuestrohen 4950 m² tokë truall

22/09/2022

Falsifikoi dokumentet e pronës në Ksamil, burg për 69-vjeçarin, sekuestrohen 4950 m² tokë truall

Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për S. O. për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”. Sipas njoftimit të policisë, 69-vjeçari ka tentuar të përfitojë një sipërfaqe toke truall, në Ksamil, duke aplikuar pranë ASHK Sarandë, me dokumente të falsifikuara.

Policia sekuestroi truallin me sipërfaqe 4950 metër katror, në Ksamil.

Në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë kishin dërguar materialet paraprake hetimore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, e cila ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Në zbatim të këtij procedimi, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, në kuadër të operacionit policor të koduar "Prevent”, u bë ndalimi i shtetasit S. O., 69 vjeç, banues në Sarandë, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, me pasoja të rënda.

Ky shtetas dyshohet se ka tentuar të përfitojë një sipërfaqe toke truall, në Ksamil, duke aplikuar pranë ASHK Sarandë, me dokumente të falsifikuara.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë u bë dhe ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për vendosjen e sekuestros preventive mbi truallin me sipërfaqe 4950 metër katror, në Ksamil”, thuhet në njoftimin e policisë.

/rtsh.al/